CDC rekomandon mbajtjen e maskës edhe për ata që kanë bërë vaksinën

USA, Atlanta, A general view of the Centers for Disease Control and PreventionQendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ndryshoi disa udhëzime në lidhje me mbajtjen e maskës. CDC njoftoi rekomandimet e reja të martën, sipas të cilave, edhe njerëzit e vaksinuar duhet që të mbajnë maska në ambientet e brendshme në pjesët e Shteteve të Bashkuara, ku rastet e koronavirusit janë në rritje.

Shkencëtarët përmendën informacionet e reja në lidhje me aftësinë e variantit delta për t’u përhapur midis njerëzve të vaksinuar.

CDC gjithashtu rekomandoi mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura për të gjithë mësuesit, personelin, nxënësit dhe vizitorët në shkolla, pavarësisht nëse ata janë të vaksinuar apo jo.

Në Shtetet e Bashkuara tani shënohen mesatarisht më shumë se 57,000 raste në ditë me Covid-19 dhe 24,000 shtrime në spital.

Udhëzimi për mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura publike vlenë për rajonet e Shteteve të Bashkuara me të paktën 50 raste të reja në ditë për 100,000 banorë në javën e fundit. Në këtë kategori tani ndodhen 60 përqind të qarqeve të Shteteve të Bashkuara, thanë zyrtarët.

Udhëzimi i ri pason vendimet e fundit të ndërmarra në Los Anxhelos dhe Sejnt Luiz për të rikthyer në fuqi rregullin për mbajtjen me detyrim të maskës në ambiente të mbyllura për shkak të rritjes së rasteveme COVID-19 dhe shtrimeve në spital që kanë qenë veçanërisht të rënda në jug të vendit.

Sipas drejtoreshës së Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Dr. Rochelle Walensky, me variantet e mëparshme të virusit, njerëzit e vaksinuar treguan nivele të ulëta të infektimit dhe mendohej se ata nuk mund ta përhapnin koronavirusin.

Por, ajo tha se me variantin delta, nivelet e virusit të gjetura në hundë dhe fyt të njerëzve të vaksinuar të infektuar ishin “të padallueshme” nga ato të gjetura tek njerëzit e infektuar të pavaksinuar.

“Njoftimi i sotëm nga CDC… është një hap tjetër në rrugën tonë për të mposhtur këtë virus,” tha Presidenti Joe Biden në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë. “Shpresoj që të gjithë amerikanët që jetojnë në zonat që ndikohen nga udhëzimi i CDC do ta respektojnë atë. Sigurisht që unë do ta bëj këtë kur të udhëtoj në këto zona.”

Zyrtarët shëndetësorë thonë se vaksinat mbeten efektive kundër pasojave më të rënda të infeksionit me virusin, përfshirë atyre nga varianti delta.

Në maj, CDC tha se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kishin nevojë më të mbanin maskën ​ose distancimin fizik prej gjashtë metrash nga njerëzit e tjerë. Megjithatë, agjencia amerikane e shëndetësisë sugjeroi që njerëzit të mbanin maskën në hapësirëat e transportit publik dhe në vende të mbushura me njerëz në natyrë.

Për muaj me radhë, rastet e COVID-19, vdekjet dhe shtrimet në spital në Shtetet e Bashkuara shënuan rënie në mënyrë të qëndrueshme, por kjo prirje u përmbys gjatë dy muajve të fundit pasi varianti delta i koronavirusit filloi të përhapej në vend.

New York Times raporton se disa qytete kanë rikthyer rregullat që detyrojnë mbajtjen e maskës në ambjente të mbyllura në javët e fundit, duke përfshirë qytetin e Savanës në Xhorxhia, dhe atë të Princtaunit në Masaçusets.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>