Ceremonia e të dielës mbrëma për ndarjen e çmimeve Oscar kishte karakteristikat e saj me një ndarje të barabartë të Çmimeve të Akademisë mes grave dhe burrave. Megjithëse pakicat ishin kryesisht të papërfaqësuara, filmi nga Koreja e Jugut “Parasite” “triumfoi me katër çmime Oscar, përfshi ato për regjisorin dhe filmin më të mirë.
Ishte një natë e shënuar për regjizorin Bong Joon Ho nga Koreja e Jugut, filmi i të cilin “Parasite” fitoi katër çmime Oscar, përfshirë ato për regjisorin dhe filmin më të mirë. “Parasite”, është një komedi e zezë mbi pabarazinë sociale në Korenë e Jugut.
Kineasti e përshëndeti vendimin e Akademisë për të ndryshuar emrin e kategorisë nga filmi më i mirë i huaj në filmin më të mirë ndërkombëtar, duke ofruar më shumë gjithpërfshirje për filmat jo-anglisht folës. Zoti Bong Joon Ho vlerësoi lartë rëndësinë e njohjes së filmit “Parasite” nga Akademia.
Filmi i regjisorit Sam Mendes “1917”, mbi dy ushtarë të Luftës së Parë Botërore në mision për të shpëtuar jetët e 1600 ushtarëve në frontin e luftës, fitoi tre çmime Oscar, përfshi atë për kinematografinë më të mirë.
Brie Larson, Sigourney Weaver dhe Gal Gadot të njohura me rolet e superheronjëve, folën mbi vështirësitë që përballen gratë në Hollivud.
Hildur Guonadottir fitoi çmimin Oscar për muzikën në filmin “Joker” ndërsa inkurajoi gratë të ndjekin pasionin dhe talentin që kanë për muzikën.
Julia Reichert, bashkëregjisore e dokumentarit “American Factory” dhe Carol Dysinger, regjisore e dokumentarit “Learning to Skateboard in a Warzone if you’re a Girl” u nderuan me çmime Oscar.
Në kategoritë kryesore të aktrimit, Brad Pitt fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë në rol mbështetës me filmin “Once Upon a Time in Hollywood” të regjizorit Quentin Tarantino. Gjatë fjalimit për pranimin e çmimit ai bëri një koment politik lidhur me mosthirrjen nga Senati të dëshmitarëve në gjyqin ndaj Presidentit Trump.
“Më thanë se kam vetëm 45 sekonda për të folur, më shumë nga sa Senati i dha zotit John Bolton këtë javë.”
Joaquin Phoenix fitoi çmimin Oscar për aktorin më të mirë ndërsa dha një mesazh prekës për gjithpërfshirjen.
“Mendoj se në disa raste ne mbështesim kauza të ndryshme, por unë shoh të përbashkëtën. Pavarësisht nëse flasim për pabarazi gjinore,racizëm, të drejtat e homoseksualëve, të drejtat e kafshëve, ne po flasim për padrejtësi.”
Laura Dern, e cila fitoi çmimin Oscar për aktoren më të mirë në rol mbështetës me filmin “Marriage Story”, shprehu kritika për mospërfshirjen e grave regjisore nga Akademia.
Renne Zellwegger fitoi çmimin si aktorja më e mirë në interpretimin e aktores dhe këngëtarës së famshme Jury Garland në filmin “Judy”.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Akademisë kësaj radhe
NETFLIX nuk mori aq çmime nga sa pritej.
voa