BA.5 – pjesë e familjes Omicron – është varianti më i fundit i koronavirusit, që është duke shkaktuar valë infeksionesh në të gjithë botën.
Sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, BA.5 qëndron pas 52% të rasteve të regjistruara në fund të qershorit.
Në Shtetet e Bashkuara vlerësohet se është duke shkaktuar rreth 65% të infektimeve.
Rritja e numrit të rasteve
BA.5 nuk është i ri. I identifikuar për herë të parë në muajin janar, ai është gjurmuar nga OBSH-ja qysh në prill.
Ai është variant simotër i llojit Omicron, që ka qenë mbizotërues në mbarë botën qe nga fundi i vitit 2021 dhe ka shkaktuar rritje të shkallës së infeksionit në pjesë të Evropës, Australisë dhe Afrikës së Jugut, ku edhe është gjetur për herë të parë.
Të dhënat e OBSH-së tregojnë se numri i rasteve me koronavirus në botë, është në rritje tash e katër javë rresht.
Pse po përhapet?
Ashtu si varianti i tij simotër, BA.4, edhe BA.5 arrin të shmangë mbrojtjen imune, të siguruar ose nga vaksinimi, ose nga infeksioni i mëparshëm.
Për shumë njerëz, kjo do të thotë riinfektim – në shumë raste edhe pas një kohe të shkurtër.
Van Kerkhove ka thënë se OBSH-ja po i analizon raportet e riinfektimit.
“Kemi prova të shumta që tregojnë se njerëzit që janë infektuar me Omicron, janë duke u infektuar edhe me BA.5. Nuk ka dyshim për këtë”, ka thënë Gregory Poland, virolog dhe studiues i vaksinave në Klinikën Mayo, në Minesotë të SHBA-së.
Jo më i rëndë
Numri në rritje i rasteve ka shkaktuar më shumë shtrime në spital në disa vende, por numri i vdekjeve nuk është rritur në mënyrë dramatike.
Për këtë arsye, “BA.5 ka avantazh në rritje ndaj nënvarianteve të tjera të Omicronit që janë duke qarkulluar”, ka thënë Maria Van Kerkhove, zyrtare në OBSH, më 12 korrik.
Kjo ndodh kryesisht për faktin se vaksinat vazhdojnë të mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes, nëse jo kundër infeksionit.
Prodhuesit dhe rregullatorët, po ashtu, janë duke konsideruar vaksinat e modifikuara, që synojnë drejtpërdrejt variantet më të reja të Omicronit.
Van Kerkhove ka thënë se nuk ka asnjë provë që tregon se BA.5 është më i rrezikshëm se çdo variant tjetër i Omicronit. Megjithatë, rritja e numrit të rasteve, sipas saj, mund të shkaktojë presion mbi shërbimet shëndetësore.
OBSH-ja dhe ekspertë të tjerë kanë thënë, po ashtu, se pandemia e vazhdueshme – e zgjatur nga shpërndarja jo e barabartë e vaksinave dhe dëshira e shumë vendeve “për të lëvizur përpara” – do të çojë vetëm në variante më të reja dhe të paparashikueshme.
Shkencëtarët tashmë po tërheqin vërejtjen për variantin BA.2.75 – i identifikuar për herë të parë në Indi – i cili ka një numër të madh mutacionesh dhe po përhapet me shpejtësi.
OBSH-ja ka thënë më 12 korrik se pandemia mbetet emergjencë shëndetësore globale dhe se vendet, krahas vaksinimit, duhet t’i marrin në konsideratë edhe masat tjera mbrojtëse, si maskat dhe distancën sociale, kur numri i rasteve rritet.
“Ajo që njerëzit nuk e kuptojnë, është se kur ka një nivel të lartë të transmetimit në komunitet, ai [virusi] do të ndryshojë”, ka thënë Poland.
“Kush e di se çfarë do të vijë më pas. Ne po luajmë me zjarr”, ka thënë ai.
rel