Cila është Kamala Harris, e zgjedhur në postin e nënpresidentes?

Kamala HarrisNënpresidentja e zgjedhur Kamala Harris hyri në histori këtë javë duke u bërë gruaja e parë që fiton zgjedhjet. Materiali në vazhdim na njeh me rrugën që e solli zonjën Harris në pozicionin e dytë më të fuqishëm në qeverinë amerikane.

Një moment historik në Shtetet e Bashkuara…

“Ndërsa mund të jem gruaja e parë në këtë post, nuk do të jem e fundit”, tha nënpresidentja e zgjedhur.

56-vjeçarja Harris falënderoi presidentin e zgjedhur Joe Biden dhe votuesit…. që e zgjodhën atë për t’u bërë gruaja e parë me ngjyrë dhe indiano-amerikane që do të shërbejë si nënpresidente e Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi pasur gra në Gjykatën e Lartë. Kemi Nancy Pelosin si kryetare të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongres, por asnjëherë nuk kemi patur një grua në degën ekzekutive si nënpresidente – ende jo si presidente. Dhe jo vetëm kaq, por kemi një grua me ngjyrë, një grua nga prindër emigrantësh që erdhën në këtë vend për një jetë më të mirë”, thotë Barbara Perry me Universitetin e Virxhinias.

Vajza e një nëne indiane dhe një babai xhamajkan, zonja Harris u rrit në Oakland, të Kalifornisë. Një pikturë murale e saj është tani në shkollën ku ajo çohej me autobuz si fëmijë, si pjesë e përpjekjeve të integrimit racor.

“Ajo theu kaq shumë barriera të ngurta për kaq shumë gra”, tha ligjvënësja demokrate Barbara Lee.

E diplomuar në Universitetin Howard, një kolegj i përbërë kryesisht nga studentë me ngjyrë në Uashington, Harris u bë prokurorja e parë grua me ngjyrë në San Francisko në vitin 2004 dhe më pas Prokurore e Përgjithshme e Kalifornisë në vitin 2010.

Gjatë protestave të lëvizjes “Black Lives Matter” këtë verë, disa përfaqësues progresistë u ankuan se zonja Harris kishte qenë një prokurore shumë e ashpër, kishte marrë pozicione kontradiktore mbi dënimin me vdekje dhe nuk arriti ta mbante policinë përgjegjëse për sjellje të ashpra.

Kamala Harris për herë të parë hyri në histori në Kaliforni kur u zgjodh në Senatin amerikan.

“Është e rëndësishme që amerikanët të shohin në pushtet, njerëz që duken si vetë ata”, thotë Shannon Bow O’Brien me Universitetin e Teksasit.

Kamala Harris – e cila flet shpesh për rolin e saj si teze dhe nënë e fëmijëve të bashkëshortit të saj – është e martuar me avokatin Doug Emhoff, i cili tani do të jetë zotëria i dytë – një pozicion krejtësisht i ri në historinë e Shtëpisë së Bardhë. Dhe ndërsa puna më e rëndësishme për një nënpresidente është të jetë gati të marrë rolin e presidentit nëse është e nevojshme, analistët thonë se Kamala Harris mund të trumpetojë arritjet e saj historike.

“Ajo mund të jetë një grua-shteti që do të përfaqësojë Shtetet e Bashkuara jashtë, por mendoj se ajo ashtu do të udhëtojë kudo edhe brenda Shteteve të Bashkuara, për të përhapur simbolikën e asaj që po bën”, thotë Barbara Perry.

Një rol i ri global në Shtëpinë e Bardhë – që po festohet deri në gjysmën tjetër të botë, në fshatin e paraardhësve të saj në Indi.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>