Vala e re e pandemisë në vjeshtë duhet të luftohet me vaksina të reja. Duhet të ketë edhe bashkëpunim më të mirë dhe masa të mëtejshme mbrojtëse.
“Në vjeshtë dhe dimër duhet të llogarisim me një valë të rëndë të virusit Corona”, deklaroi ministri federal i Shëndetësisë Karl Lauterbach pas një konference dyditore me minsitrat e landeve. Drejtuesit e departamenteve do të takohen sërish në fillim të korrikut për të diskutuar masat specifike mbrojtëse në vjeshtë.
Shumica në Gjermani mendon se në vjeshtë dhe dimër duhet të mbahen maskat në ambiente të mbyllura. 77 përqind e personave mbi 65 vjeç janë shprehur në favor të kësaj mase, në një anketë të bërë nga ARD. Ndërsa 48 përqind e personave të moshës 18 deri në 34 vjeç e mbështesin këtë ide. Maskat për momentin janë të obligueshme vetëm në transportin publik.
Testet
Një pjesë e madhe e politikës gjermane për Coronën po rrotullohet aktualisht rreth testeve falas të qytetarëve, të cilat do të ndërpriten në fund të këtij muaji. Aktualisht ekziston ende e drejta për të paktën një test antigjen falas në javë në vendet e testimit nga personel i trajnuar pa arsye ose simptoma. Ende nuk është e qartë se si do të vazhdojnë gjërat nga korriku. Kur bëhet fjalë për financimin e testeve, landet janë të mendimit se këtë duhet ta bëjë qeveria federale.
Një fushatë e re vaksinimi është planifikuar për në vjeshtë. Në studimet aktuale, ka prova në rritje se vaksinimi i katërt për njerëzit mbi 60 vjeç është me përfitim të madh, tha Ministri i Shëndetësisë Lauterbach. Vaksina më e mirë duhet të vihet në dispozicion për të gjithë që duan të vaksinohen.
Valneva është e re, Novovax për njerëzit mbi moshën dymbëdhjetë vjeç
Agjencia evropiane e barnave EMA ka dhënë ndërkohë dritën jeshile për përdorimin e vaksinës kundër Coronës nga kompania franko-austriake Valneva. Vaksina Valneva përdor teknologji të ngjashme me vaksinat klasike të gripit, duhet të ruhet në frigoriferë normalë dhe mund të përdoret tek personat e moshës 18 deri në 50 vjeç. Kjo do të thotë se tani në përdorim në BE janë gjashtë vaksina kundër virusit Corona.
Me vaksinën nga prodhuesi amerikan Novavax, në të ardhmen mund të vaksinohen edhe fëmijët nga mosha 12 vjeçare. Ekspertët e EMA-s kanë rekomanduar tani zgjerimin e lejes. Vaksina është lejuar tashmë në BE për njerëzit mbi 18 vjeç dhe, sipas studimeve, ka një mbrojtje ndaj infeksionit prej rreth 80 përqind.
20 milionë të shpëtuar nga vdekja
Studiuesit kanë llogaritur se sa vdekje janë evituar nga vaksinimi. Sipas tyre, vaksinat kanë parandaluar pothuajse 20 milionë vdekje nga COVID-19 në mbarë botën vetëm në vitin e parë.
Ekspertët thonë se vaksinat e kanë përgjysmuar numrin e vdekjeve të pritura. Kështu shkruajnë studiuesit në Kolegjin Imperial të Londrës në revistën “Lancet Infectious Diseases”. Por shpërndarja e padrejtë e vaksinave po reflektohet edhe në këtë çështje, sepse vendet më të pasura kanë përfituar dukshëm më shumë se ato më të varfrat.
Infektimi vullnetar është gabim total!
Christian Drosten, Drejtor i Institutit për Virologjinë në Berlin Charité, paralajmëron kundër infektimit të qëllimshëm me virusin Corona gjatë verës. Duhet të vazhdohet të shmanget sa më shumë që të jetë e mundur, edhe për shkak të rrezikut nga pasojat afatgjata të Covid-it”, tha Drosten në një intervistë për “Spiegel”. Rekomandimi për infeksion, i cili aktualisht po përhapet në Twitter, është “një nonsens total”: “Në verë nuk mund të infektohen aq shumë njerëz, saqë të mbahet numri i ulët i infektimeve me Corona në dimër”.
Drosten ka frikë se numri i rasteve të të infektuarve në shtator do të jetë përsëri shumë i lartë. Sepse, siç pritej, virusi BA.5 është tani mbizotërues në Gjermani. Sipas raportit javor nga Instituti Robert Koch (RKI), nga ky lloj virusi infektohen aktualisht në Gjermani mbi 50 përqind e personave të sëmurë.
BE bie dakord për më shumë bashkëpunim
“Varianti BA.5 është thjesht shumë më i transmetueshëm, ndërkohë që tani njëkohësisht shumë njerëz janë duke e kaluar fazën e mbrojtjes nga vaksinat”, paralajmëron Drosten. Në vende të tjera mund të shihet se me rritjen e numrit të të infektuarve, po rriten edhe shifrat e trajtimeve në spital dhe të vdekjeve.
Në krizat shëndetësore si pandemia Corona duhet të ketë bashkëpunim shumë më të ngushtë në nivel të BE-së në të ardhmen. Negociatorët nga shtetet e BE-së dhe Parlamenti Evropian kanë rënë dakord për rritjen e bashkëpunimit përtej kufijve kombëtarë të shteteve anëtare. Për këtë qëllim, Komisioni i BE-së duhet të jetë në gjendje për herë të parë të shpallë një emergjencë shëndetësore në mbarë BE-në dhe në këtë mënyrë të shkaktojë një qasje të koordinuar, për shembull, për blerjen dhe ruajtjen e mallrave të rëndësishme.
bc/rb/mak (AFP, dpa, Reuters)