Donald Trump sot bën betimin si Presidenti i 45-të i SHBA

trump obamaBiznesmeni miliarder, Donald Trump sot do të përurohet si presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Një ditë para përurimit të tij, zoti Trump tha se vendi “do të shohë diçka shumë mahnitëse” të premten (sot) kur ai të bëjë betimin si presidenti i 45-të amerikan.

Donald Trump ka premtuar se do të punojë shumë, do të bashkojë vendin dhe do ta “bëjë Amerikën të madhe për të gjithë.”

Pas koncertit të përurimit të ejten në mbrëmje në shkallët e memorialit të Lincolnit, Donald Trump i tha një turme prej mijëra njerëzish se gjithë bota po shikonte se çfarë po ndodh në Shtetet e Bashkuara.

Protesta

Të ejten në mbrëmje, protestues anti-Trump u përleshën me policinë para ndërtesës së Klubit të Shtypit Kombëtar në Uashington. Brenda ndërtesës po zhvillohej një ballo e quajtur “Deploraball”, një referencë ndaj komenteve që Hillary Clinton bëri gjatë fushatës për mbështetësit e zotit Trump, duke i quajtur ata një shportë mjeranësh.

Protestuesi hodhën parulla “Jo Trump. Jo SHBA fashiste” ndërsa policia u përpoq t’i mbante ata larg dyerve të ndërtesës.

Disa protestues hodhën objekte të ndryshme mbi policinë. Pati të paktën një zjarrvënie në rrugë.

Në Nju Jork, mijëra njerëz u mblodhën në Parkun Qendror afër Kullës Trump, ku ndodhet zyra e Presidentit të zgjedhur, për të protestuar kundër administratës së tij të ardhshme.

Në këtë protestë folën edhe kryabashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, Bill de Blasio, regjisori dhe aktivisit Michael Moore, aktori Robert de Niro dhe këngëtarja Cher.

Në këtë protestë mbajti fjalim edhe aktori Alec Baldwin, i cili në emisionin komik “Saturday Night Live” të kanalit televiziv NBC imiton presidentin e zgjedhur Donald Trump. Zoti Trump e ka shprehur pakënaqësinë e tij për mënyrën se si ai është përshkruar në këtë emsion.

Redaktimi i fjalimit

Zëdhënësi i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të ejten se presidenti i zgjedhur po vazhdonte t’i bënte ndryshime në fjalimin e tij të përurimit. ​

Spicer tha se fjalimi do të ketë në përmbajtje “vizionin e tij për Amerikën”.

Zoti Trump do të flasë për “sfidat me të cilat po ndeshemi”, shtoi Spicer. Ai e cilësoi mesazhin si një deklaratë filozofike rreth mënyrës se si zoti Trump do ta udhëheqë qeverinë amerikane, e jo një axhendë legjislative.

Urdhërat ekzekutivë

Duke filluar sot mbasdite, dhe në ditët e ardhshme, zoti Trump do të nënshkruajë urdhëra ekezekutive “për zbatimin e axhendës për ndryshim të vërtetë”, tha zëdhënësi Spicer. Presidenti i zgjedhur “ende është duke punuar në përparësitë e tij në fusha që ai do të bëjë ndryshime” shtoi zoti Spicer.

Zoti Trump me këto veprime mund të shfuqizojë menjëherë disa nga politikat e presidentit Barack Obama.

Nënpresidenti i zgjedhur, Mike Pence tha se ai dhe zoti Trump do të jenë gati “të fillojnë t’i shërbejnë popullit amerikan që në ditën e parë”.

Emërimet për kabinetin qeverisës

Me emërimin e ish guvernatorit të Xhorxhias në postin e Sekretarit të Bujqësisë, zëdhënësi Sean Spicer tha se zoti Trump ka përfunduar emërimet për 21 postet e kabinetit të tij.

Ai gjithashtu vuri në dukje se 536 zyrtarë tani janë vendosur në agjencitë qeveritare në Uashington për t’iu bashkuar ekipit të tranzicionit të pushtetit , të cilët do ë jenë të gatshëm të hënën kur të filloj punën qeveria e re.

Zëdhënësi Spicer tha se pesëdhjetë zyrtarë të qeverisë amerikane që po punojnë për presidentin Obama dhe që janë marrë me tranzicionin e pushtetit kanë rënë dakord të qëndrojnë me administratën e re.

Ceremonia e vënies së kurorës

Po të ejten, i shoqëruar nga nënpresidenti i zgjedhur Pence, presidenti i zgjedhur Trump vuri një kurorë me lule në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku prehen më shumë se 400 mijë veteranë të ushtrisë dhe anëtarë të famiiljeve të tyre.

Presidenti i zgjedhur Trump kaloi natën e tij të fundit si qytetar privat në “Blair House”, një ndërtesë qeveritare ku qëndrojnë zyrtarë dhe personalitete të njohura. Ndërtesa ndodhet në rrugën Pensilvania përballë Shtëpisë së Bardhë. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>