Donald Trump dhe Joe Biden kanë shkëmbyer fjalë të rënda gjatë debatit televiziv, si akuza edhe kundërakuza të rënda. Sa të vërteta janë pohimet e tyre?
1) Deklarimet e tatimeve të Trumpit
- Moderatori: “Na tregoni, sa tatime keni paguar gjatë vitit 2016 dhe 2017?”
- Trump: “Miliona dollarë.”
- Moderatori: “Ju keni paguar miliona dollarë, jo 750?”
- Trump: “Miliona dollarë, do ta shihni.”
Pagesa e tatimeve nga Trumpi ka qenë pjesë e debatit edhe para katër vitesh, sepse ai nuk i ka publikuar kurrë pagesat që ka bërë, gjë që është e zakonshme për presidentët dhe kandidatët për presidentë.
Të dielën (27.09) gazeta “New York Times” publikoi deklarimet tatimore të Trumpit, sipas të cilave presidenti tek autoritetet federale ka paguar gjatë vitit 2016 dhe 2017 vetëm 750 dollarë. Sa për krahasim: Sipas të dhënave të Congressional Budget Office, një familje me të ardhura mesatare, gjatë vitit 2016 ka paguar mesatarisht 2.200 dollarë tatime.
“New York Times” ka shikuar dokumentet e 18 viteve të fundit. Prej tyre Trumpi 11 vjet nuk ka paguar asnjë tatim në nivelin federal.
Trumpi thotë se ka paguar tatime të tjera. Përgjigja e tij në pyetjen e moderatorit ishte e gabuar.
2) COVID-19
Biden: “Një nga 1000 afroamerikanë ka vdekur nga virusi Corona. Nëse nuk veprohet më shpejt, deri në fund të vitit do të vdesë një në 500 afroamerikanë.”
Faktet: Vdekshmëria nga Covid-19 dallon varësisht nga përkatësia nacionale. Në statistikat e autoriteteve amerikane shëndetësore CDC thuhet se nga SARS-CoV-2 kanë vdekur më shumë të bardhë. Por shikuar nga përqindja e shifrave të afroamerikanëve, ata janë më të prekur nga pandemia. Deri tani ka vdekur një në 1020 afroamerikanë. Tek popullata e bardhë ka vdekur 1 në 2150. Me fjalë të tjera: Sipas këtyre shifrave rezulton se vdekshmëria e afroamerikanëve është dyfish më e lartë se e të bardhëve.
Pjese e parë e pohimit të Bidenit është e saktë. Duket se kjo tendencë po vazhdon. Por nuk mund të dihet nëse parashikimet e Bidenit për rritjen e numrit të vdekjeve janë korrekte.
3) Manipulimi i zgjedhjeve përmes votimit me postë
Trump: “Ata i kanë gjetur (dokumentet e votimit) nëpër përrenj. Disa i kanë gjetur në shporta prej letre me emrin Trump. (…) Në një rajon demokrat kanë dërguar dy herë fletvotime në 1000 adresa. Ky do të jetë një mashtrim, që nuk e keni parë kurrë më parë. (…) Shikoni, në West Virginia, një postjer atje ka shitur fletëvotime.”
Trumpi javët e kaluara ka përsëritur shpesh, se votimet me postë i kanë hapur portat mashtrimeve. Në debat ai përmendi edhe shembuj. Vërtet në Wisconsin janë gjetur tri shporta me letra në një gropë. Posta ka shpjeguar se në mesin e këtyre letrave ka pasur edhe fletëvotime. E paqartë mbetet se sa prej tyre kanë qenë të plotësuara. Në Pennsylvania janë gjetur nëntë fletëvotime të hedhura në mbeturina, kumtoi Ministria e Drejtësisë.
Në West Virginia në maj një postjer është akuzuar për shkak të manipulimit të zgjedhjeve. Në pesë raste ai ka ndërruar përkatësinë në letra – nga demokrat në republikan. Ai thotë se kjo ka qenë vetëm një “shaka”. Ai nuk ka shitur asnjë dokument.
Kritika e tretë: Në Virginia është vërtetuar nga autoritetet se deri në 1000 raste janë dërguar me postë dokumentet e votimeve dy herë. Drejtori i vendvotimit thotë se asnjë prej personave nuk ka votuar dy herë, sepse secili person që voton njëherë shënohet në regjistrin e vutuesve dhe nuk mund të votojë dy herë.
Faktet: Janë regjistruar parregullësi të vogla – por Trumpi deri tani nuk ka paraqitur argumente për mashtrime masive. Ai nuk u përmbahet gjithmonë fakteve, respektivisht lë hapësirë për relativizimin e kontekstit.
4) Ekonomia dhe vendet e punës
Trump: “Unë jam detyruar të mbyllë ekonominë më të mirë në historinë e vendit tonë [në kohën e Coronës]. Tani sërish po hapet.”
Nuk është e vërtetë. Ekonomia amerikane në kohën e Trumpit nuk ka qenë e mirë si në kohën e presidentëve Dwight D Eisenhower, Lyndon B. Johnson dhe Bill Clinton.
Produkti bruto (BIP) është rritur në vitin 2019 me 2,3%. Në vitin 2018 me 2,9%, ndërsa 2017 me 2,4%. Në vitet 1997, 1998 dhe 1999 ka pasur në SHBA një rritje ekonomike prej 4,5 deri 4,7 %. Nëse shkojmë edhe më larg në histori, dallimet janë edhe më të mëdha: Rritja ekonomike amerikane në periudhën prej 1962 deri 1966 ka qenë 4,4 deri 6,6%. Ndërsa në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, në 1950 dhe 1951, rritja ekonomike ka qenë 8,7 dhe 8 %.
Papunësia në kohën e Trumpit ka rritur një nivel shumë të ulët me 3,5 %, por në vitin 1953 papunësia ishte vetëm 2,5%.
Biden: Trump do të jetë “presidenti i parë amerikan, i cili në fund të mandatit të tij do të ketë më pak vende pune sesa në fillim të mandatit”.
Nuk është e vërtetë. Nëse Trumpi humbet zgjedhjet, ai nuk do të jetë presidenti i parë që ka humbur vende pune. Kjo ka ndodhur në kohën e presidentit Herbert Hoover, i cili i humbi zgjedhjet në vitin 1932. Kriza ekonomike ka pasur për pasojë humbjen masive të vendeve të punës.
Megjithatë statistikat zyrare amerikane ekzistojnë për periudhën prej vitit 1939. E prej asaj kohe, asnjë president nuk ka pasur në fund të mandatit më pak vende pune sesa në fillim.
5) Mjedisi
Trump: “Unë dua të kemi ujë dhe ajër të pastër si kristali. Dua të kemi ajër të mrekullueshëm, të pastër. Ne kemi nivelin më të ulët të dioksidit të karbonit. Nëse shikoni shifrat tona, ne jemi në pozitë fenomenale.”
Kjo deklaratë është të paktën çorientuese. Qeveria Trump nuk shquhet për vendosjen e ekologjisë në plan të parë. SHBA në vitin 2019 dolën nga Marrëveshja e Parisit për klimën. Qeveria Trump i ka hedhur poshtë 100 rregullat për mjedisin. Trumpi thotë, se do të ketë ajër të pastër. Por ai ka pezulluar rregullat e Clean Air Act.
As deklarata për CO2 nuk është plotësisht e vërtetë. E vërtetë është që SHBA ka ulur më shumë se të gjitha vendet e tjera emetimin e gazrave serë, shikuar nga të dhënat e agjencisë për energji IEA. Por SHBA është shumë larg nga niveli më i ulët i CO2 për banor. Banka Botërore dhe organizata shkencore UCS e radhisin SHBA-në ndër vendet me sasinë më të lartë të emetimit të CO2 për person.
dw