Presidenti rus Vladimir Putin ka marrë notë të keqe, madje jo kaluese për mënyrën se si e ka trajtuar krizën ekonomike në vendin e tij, sipas 27 për qind të analistëve që u përfshinë në një anketë të firmës “Bloomberg Business.”
Rusia po kalon kohë të vështira me rënien e çmimit të naftës, sanksioneve ekonomike për shkak të ndërhyrjes në Ukrainë në vitin 2014, rënies së vlerës së rublës dhe dobësimit të rritjes ekonomike.
Rritja ekonomike e Rusisë filloi të bjerë me shpejtësi në tremujorin e parë të vitit 2012, relativisht shumë kohë para rënies së çmimit të naftës, apo vendosjes së sanksioneve ekonomike. Banka Botërore vlerëson se deri në vitin 2017, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Rusisë do të jetë më i vogël se në vitin 2012. Ish Ministri i Financave i Rusisë, Alexei Kudrin, mendon se ekonomia mund të bjerë në vitin 2016, megjithëse shton që në vitin 2017 ka mundësi për rritje ekonomike.
Por i një tjetër mendimi është eksperti i njohur për Rusinë, Timothy Frye, i Institutit Harriman të Universitetit Kolumbia.
Ai thotë: “Mendoj se tani më e keqja ka mbaruar. Nga viti 2012 deri në vitin 2015, rritja ekonomike në Rusi u ngadalësua me rreth 1.5 deri 2 për qind në vit. Në tremujorin e fundit pamë fillimin e stabilizimit të ekonomisë dhe përshtatjen e saj me realitetin e ri të çmimeve më të ulëta të naftës.”
Ai shton: “Prandaj, megjithëse parashikimet janë për një rritje 0, ose 0,5 për qind, apo ndoshta deri në 1 për qind për vitin e ardhshëm, shqetësuese për ekonominë ruse është fakti se askush nuk parashikon një rritje ekonomike më të madhe se 1, apo 2 për qind, pa u bërë më pare ndryshime të rëndësishme në politikat qeveritare.”
Prof. Frye mendon se njerëzit nuk presin që politikat qeveritare ekonomike të sjellin shumë ndryshime, sepse ato do të ishin me kosto të madhe politike.
Pra, ç’duhet bërë?
Janë bërë mjaft përpjekje nga qeveria ruse që firma të fuqishme si Gazprom dhe Rosneft, të pakësojnë rezervat e tyre valutore, me qëllim që të forcohet rubla.
E njëjta gjë mund të thuhet për qëndrimin e qeverisë ndaj oligarkëve, ata që kanë bërë miliarda, kryesisht në industritë e naftës dhe të gazit, që nga koha e privatizimit të tyre. Qeveria po ushtron presion ndaj tyre, duke u kërkuar ndihmë.
Prof. Frye, i cili jep gjithashtu mësim në Universitetin e Moskës, mendon se në Rusi ka shumë grupe, shpesh me interesa që bien ndesh me nacionalizimin e ekonomisë.
Ai thotë: “Ka shumë kompani ruse që vuajnë për shkak të sanksioneve, por në Rusi ka edhe kompani që përfitojnë nga largimi i Rusisë nga ekonomia globale. Për shembull, bujqësia është një sektor që ka përfituar në një farë mase nga importimi i mallrave ushqimore europiane dhe ky sektor ka patur një nivel të moderuar rritjeje ekonomike.”
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për investimet e huaja.
Për shumë miliarderë rusë, nuk ka patur investim më të mirë se sa sektori i pasurive të patundshme në Londër, Nju Jork dhe Paris. Qindra miliona dollarë kanë dalë jashtë Rusisë, duke përfunduar në aparatmentet e grataçieleve të Nju Jorkut, në Rrugën 57, apo në sheshin “Time Warner Center”. Në shumë prej tyre pronarët nuk jetojnë fare atje, por i përdorin këto prona për të ardhura nga qiraja. Sipas një njoftimi, miliarderi rus Dmitry Rybolovlev ka paguar 88 milionë dollarë për një apartament të madh në katin e sipërm të një grataçieli pranë Parkut Qendror të Nju Jorkut. Fqinjët u ankuan se blerjet e apartamenteve nga investitorë të huaj e rrisin çmimin real të pasurive të patundshme në qytet, ku blerësit nuk kanë si qëllim të jetojnë.
Ed Mermelstein, jurist i specializuar për investimet ndërkombëtare, i ndihmon oligarkët rusë në kërkimet e tyre për të investuar në Nju Jork, kryesisht në sektorin e pasurive të patundshme.
Ai mendon se qeveria e presidentit Putin ushtron presion ndaj njerëzve që nxjerrin para jashtë Rusisë.
Mermelstein thotë: “Ideja e qeverisë ruse është që në shumë raste, të kthejë në Rusi shumicën e fondeve që kanë dalë jashtë vendit. Në shumë raste, qeveria është e pakënaqur që ka mësuar me vonesë mënyrën se si janë nxjerrë jashtë vendit këto fonde.”
Mermelstein shton se paratë që po bëhen tani në Rusi nuk do të lejohen të dalin më jashtë vendit.
Mbështetja për Vladimir Putinin në anketa vazhdon të jetë tepër e lartë; por, në se ekonomia ruse vazhdon të jetë në nivele të pakënaqshme, këto shifra të larta mund të mos vazhdojnë për një kohë të gjatë. (voa)