Energjia diellore në Mesdhe

energjia dielloreMesdheu është njohur gjithmonë për motin me diell, por në këtë rajon centralet me energji diellore kanë qenë operacione të shkallës së vogël. Tashmë, falë teknologjisë së re dy vende bregdetare, Maroku dhe Izraeli po përqafojnë energjinë diellore në shkallë të gjerë.

Ekipet e ndërtimit në shkretëtirën Negev të Izraelit po vendosin pasqyra të mëdha që do të mbulojnë një sipërfaqe prej 1 milion metrash katrorë, për ta reflektuar dritën e diellit në një kullë të lartë:

“Këtu shihni ndërtimin e një centrali të madh me energji diellore që do të përmbajë 50 mijë pasqyra, të cilat do të reflektojnë diellin,” thotë një Noam Nizami i kompanisë Megalim.

Pjesa më e madhe e gjeneratorëve që prodhojnë sasi të vogël energjie nga dielli bazohen në teknologjinë fotovoltaike që e shndërron dritën e diellit në energji elektrike.

Por centralet e mëdha e kanë më me leverdi të përdorin energji të koncentruar diellore për të prodhuar avull, i cili vë në lëvizje gjeneratorë të mëdhenj që prodhojnë energji elektrike.

Këto pasqyra ndjekin automatikisht pozicionin e diellit në horizont.

“Kemi pulte të avancuara kontrolli përmes kullave që komunikojnë me Wi-Fi. Gjithashtu përdorim teknologjinë e fjalës së fundit për energji nga avulli,” thotë Eran Gartner i kompanisë Megalim.

Kur të përfundojë ndërtimi i centralit vitin e ardhshëm ai do të prodhojë energji të mjaftueshme për të furnizuar 120 mijë banesa.

Ndërkaq, në Marok, në jug të Maleve Atlas ka hyrë në funksionim faza e parë e një centrali të ngjashëm.

Në vend që ta drejtojnë dritën e diellit drejt një kulle, pasqyrat e mëdha në centralin Noor nxehin një solucion kripe deri në 400 gradë celcius. Solucioni, i cili kalon nëpër tuba ngjitur me pasqyrat, mund ta ruajë temperaturën deri në tre orë pas perëndimit të diellit.

Kur të përfundojnë të tria fazat e ndërtimit në 2018, centrali do të prodhojë 500 megavat energji, që mund të përmbushë nevojat e 1.1 milionë marokenëve.

Zyrtarët në të dy vendet theksojnë se centralet janë ndërtuar në zona ku nuk ndikojnë tek itinerari i lëvizjes së zogjve shtegtarë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>