FDA autorizon dozë të tretë të vaksinës kundër COVID-19 për grupe të caktuara

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) autorizoi një dozë të tretë përforcuese të vaksinës Pfizer-BioNTech COVID-19 për amerikanët mbi 65 vjeç dhe për ata që vuajnë nga sëmundje të rënda.

Doza përforcuese është miratuar edhe për punonjësit e profesioneve të caktuara, si ata të kujdesit shëndetësor, mësuesit, punonjësit e dyqaneve ushqimore dhe ata në qendrat për të pastrehët ose burgjet.

Autorizimi ka gjasa t’i hapë rrugën të enjten votimit në komisionin këshillimor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve(CDC).

Një panel i FDA-së javën e kaluar votoi me shumicë dërrmuese për të hedhur poshtë planin e Shtëpisë së Bardhë që doza e tratë të vihej në dispozicion të shumicës së amerikanëve, duke përmendur mungesën e të dhënave të plota mbi sigurinë e dozës së tretë, si dhe efektshmërinë e saj.

Paneli gjithsesi mbështeti dozën përforcuese për grupmoshën mbi 65 vjeç dhe për individët në rrezik të lartë për sëmundje të rënda.

Shkencëtarët theksuan se shqetësimi kryesor duhet të vazhdojë të jetë vaksinimi i atyre që nuk kanë marrë asnjë dozë.

Ndërkohë sipas një studimi të ri, gratë shtatzëna që vaksinohen kundër COVID-19 i transmetojnë antitrupat e koronavirusit tek fëmijët e palindur.

Studiuesit e Fakultetit të Mjekësisë Grossman të Universitetit të Nju Jorkut ekzaminuan 36 të porsalindur, nënat e të cilëve kishin marrë ose vaksinën Pfizer, ose Moderna para lindjes dhe zbuluan se çdo foshnjë kishte antitrupa.

Studimi nuk përcakton sa e fortë ishte mbrojtja e foshnjave nga COVID-19, ose sa mund të zgjaste ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>