Drama e filmit të luftës ”1917” nga kineasti Sam Mendes, ka marrë 10 kandidatura për çmimin Oscar duke e bërë atë një nga pretendentët më të mirë për çmimet e akademisë. Filmi ndjek dy ushtarë të rinj gjatë Luftës së Parë Botërore në një mision për të paralajmëruar 1600 ushtarë britanikë se po çohen në një kurth nga forcat gjermane.
Rreshterët Schofield dhe Blake, luajtur nga George McKay dhe Dean-Charles Chapman, duhet të kalojnë në territorin e armikut në mënyrë që të çojnë lajmin në regjimentin e izoluar para se të jetë vonë.
“Ideja për filmin më lindi kur isha fëmijë shumë i vogël. Gjyshi im luftoi në Luftën e Parë Botërore. Quhej Alfred Hubert Mendes dhe shkoi në luftë në vitin 1917. Ai ishte lajmëtar në vijën e parë të frontit. Atij kishte detyrën të çonte një mesazh nga një post tek tjetri dhe vërtet fillova të krijojë me këtë fragment në mendje”.
Regjisori fitues i çmimit Oscar, Sam Mendes, thotë që për të krijuar një përvojë gjithëpërfshirëse për audiencën, ai filmoi rrugëtimin e ushtarëve në atë që duket si një sekuencë e pandërprerë dhe në kohë reale.
“Terreni nuk mund të jetë më i gjatë se skena dhe skena nuk mund të jetë më e gjatë se terreni. Prandaj, duhet të përgatiteshe për çdo rresht dhe dialog në vendndodhje“, thotë regjisori.
Sipas historianit të kinematografisë Steven Jay Rubin, filmi fitues i çmimit Oscar në vitin 1998 “Saving Private Ryan” me regji të Steven Spielberg, ishte i pari që krijoi një realizëm gjithëpërfshirës përmes pamjeve nga afër në fushën e betejës. Por, “Saving Private Ryan” ishte një film i Luftës së Dytë Botërore, një temë shumë më afër zemrave të audiencës së gjerë sesa klasikët e Luftës së Parë Botërore, siç është “All Quiet on the Western Front,” fitues i Oskarit të viteve 1930, që përshkruan një luftë historikisht më të largët dhe të filmuar në të kaluarën e largët.
Mendes thotë se ai dëshironte ta mbërthente audiencën përsëri në fushën e betejës së Luftës së Parë Botërore duke përdorur tregime origjinale dhe një realizim të artit bashkëkohor.
“Aparatet e kamerave dhe mekanika duhet të jenë në një sinkron me atë që po bën aktori{, thotë regjisori Mendes.
“Çdo skenë është si një pjesë teatri. Pasi fillon, nuk mund të ndalesh. Nëse ka diçka që nuk shkon mirë, thjesht duhet të vazhdosh”, thotë aktori George McKay.
Ekipi filmoi pa ndërprerje brenda një llogoreje disa kilometra të gjatë të ndërtuar vetëm për realizimin e filmit.
“Është më klaustrofobike në një farë mënyre. Nuk ke rrugëdalje. Nuk ka asnjë pamje të përgjithshme”, thotë Roger Deakins.
Kinematografi fitues i Oskarit, Roger Deakins gjithashtu thotë se ndiçimi i skenave ishte një sfidë. Ndjekja e lëvizjeve të ushtarëve në plan të hapur, nuk të jepte asnjë mundësi për të vendosur drita askund dhe për një pamje uniforme, duhej të filmonin nën qiellin me re. Sapo dielli arrinte të dilte nga retë skena duhej të rifilmohej.
Duke lënë mënjanë aftësitë kinematografike, “1917” është një cope nga koha barbare e Luftës së Parë Botëtore, thotë George MacKay që luan reshterin Schofield.
“Ka vërtet një imazh të dhunshëm kur ngre kokën lart (të shohësh mbi llogore.) Mbaj mend që me të vërtetë më tronditi kur mendoja atë që duhet të kishin ndjerë ata ushtarë”.
voa