Finlanda i bashkohet Suedisë, çel hetimet për kabllot e prera në Baltik

kabllot e preraAutoritetet finlandeze thanë të mërkurën se kanë hapur një hetim për prerjen e një kablloje të transmetimit të të dhënave nën Detin Baltik, duke iu bashkuar kështu një hetimi suedez për sabotimin e mundshëm të këtij rrjeti dhe të një kablloje të dytë.

 

Kablloja C-Lion1, e cila lidh Finlandën me Gjermaninë, u dëmtua të hënën, një ditë pas dëmtimit të ngjashëm të një kablloje që përshkon Balltikun duke lidhur Lituaninë dhe Suedinë. Incidentet ndodhën në ishujt suedezë Oland dhe Gotland. Ministri gjerman i mbrojtjes tha të martën se dëmi duket se ishte shkaktuar nga sabotazhi, megjithëse nuk ka prova për momentin.

Byroja Kombëtare e Hetimit të Finlandës tha se hapi një hetim penal për prerjen e kabllit C-Lion1 me dyshimin për veprën e “aktivitetit të rënduar kriminal dhe ndërhyrje në komunikim”.

Policia suedeze tashmë ka hapur një hetim paraprak të martën për sabotim të dyshuar në lidhje me dy prerjet e kabllove dhe tha të mërkurën se “policia dhe prokurorët suedezë janë gjithashtu të interesuar për një anije që është parë në vendet në fjalë”.

Ata nuk dhanë detaje dhe nuk e identifikuan anijen, por thanë se “ajo nuk është aktualisht në ujërat suedeze”.

Hetimet zyrtare erdhën pasi u njoftua nga mediat se një anije me flamur kinez, “Yi Peng 3”, kishte qenë në zonë në kohën e prerjes së kabllove.

Informacioni për gjurmimin e anijes nga faqja e internetit Marine Traffic tregoi se anija e transportit, 225 metra e gjatë, nuk lëvizte pasditen e së mërkurës në brigjet e Danimarkës në Balltik.

Marina Mbretërore Daneze nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me email për koment nga agjencia e lajmeve Associated Press.

voa

Danimarka po vëzhgon anijen kineze që dyshohet për sabotimin në Baltik

 

Komanda e mbrojtjes e Danimarkës tha se është “e pranishme” në zonën afër anijes së mallrave kineze, Yi Peng 3, që u ankorua afër brigjeve të Danimarkës. Kjo anije dyshohet se u përfshi në dëmtimin që ndodhi së fundi të kabllove të komunikimit me fibra optike në Detin Baltik.

 

Dyshimet janë rritur nga kryeqendrat perëndimore që thonë se dëmtimi i dy kabllove kyçë në Detin Baltik me gjasë ishin rezultat i veprimeve të qëllimshme.

Anija kineze, që raportohet se drejtohet nga një oficer detar rus, po lundronte nga porti rus Ust-Luga. Dyshohet se anija ka udhëtuar mbi zonën në Baltik ku gjendeshin kabllot që lidhnin Suedinë dhe Lituaninë.

Qeveritë evropiane dhe Uashingtoni nuk e kanë lidhur drejtpërdrejtë Moskën për këtë dëmtim, por ata e kanë akuzuar Rusinë për orkestrimin e “sulmeve hibride” ndaj infrastrukturës perëndimore për të ndëshkuar shtetet evropiane për ndihmën dhe mbështetjen që i ofrojnë ushtrisë ukrainase, e cila po lufton me forcat pushtuese ruse.

Disa analistë thanë se anija mund të ketë dëmtuar kabllotë kur ka qenë duke u ankoruar.

“Mbrojtja daneze mund të konfirmojë se ne jemi të pranishëm në zonën afër anijes kineze, Yi Peng 3”, tha Komanda e Mbrojtjes e Danimarkës përmes një postimi në X.

Aleatët e Ukrainës në incidentet e kaluara kishte akuzuar Moskën për sabotim, veçmas pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Autoritetet e shteteve të Baltikut po hetojnë për këputjen e kabllove – kablloja e dytë lidh Finlandën dhe Gjermaninë – pas incidenteve të ngjashme që kanë ndodhur në det në vitet e fundit.

 

rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>