Hillary Clinton fitoi me lehtësi në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate në shtetin e Karolinës së Jugut. Ajo tashmë ka konsoliduar pozitën e saj si kandidatja kryesore demokrate duke mundur ndjeshëm rivalin Bernie Sanders përpara zgjedhjeve të rëndësishme të “super-të martës”.
“Do të konkurojmë për çdo votë në secilin shtet. Nuk do ta konsiderojmë të mirëqenë askënd dhe asgjë.”
Hillary Clinton ka fituar ose ka dalë barazim në tre nga katër garat demokrate dhe udhëheq ndjeshëm në sondazhet e kryera në shumicën e shteteve ku do të votohet javës tjetër.
Mbështetësit e saj festuan suksesin në Karolinën e Jugut duke kërcyer, disa prej tyre të ardhur madje nga shtete të tjera.
“Po kërceja pasi e di që do të kemi një zonjë presidente dhe jam e lumtur të jem pjesë e këtij momenti. Erdha me avion nga Nju Jorku. Javës që kaloi kam trokitur derë më derë, si dhe u kam telefonuar njerëzve. Jemi gati për presidenten tonë të re dhe lutem çdo ditë që deri në nëntor të mundemi ta konfirmojmë këtë gjë”, thotë Michelle Garcia-Daniels, përkrahëse e Hillary Clintonit.
Por, fillimisht ajo duhet të fitojë njëherë nominimin demokrat. Duke folur për mbështetësit në Minessota, Bernie Sanders deklaroi se do të luftojë për të marrë nominimin deri kur Partia Demokrate të zhvillojë konventën e saj kombëtare në muajin korrik.
“E përgëzova Sekretaren Clinton për paraqitjen e fortë. Gara e së martës do të jetë për mbi 800 delegatë, dhe ne synojmë të fitojmë shumë, shumë prej tyre.”
Në garën e nxehur republikane, kryesuesi Donald Trump dhe rivali më i afërt, Senatori Marco Rubio, e kaluan ditën e shtunë duke shkëmbyer ofeza të rënda dhe duke nxjerrë kështu në pah se si gara në Partinë Republikane ka marrë formën e një sherri politik në rrugë.
Zoti Trump pati një tubim të përbashkët në Arkansas me Guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie, i cili la garën presidenciale për t’i dhënë mbështetjen e tij zotit Trump.
Zoti Trump udhëheq në sondazhet në pothuajse 11 shtete që do të votojnë të martën. Nëse do të fitojë ndjeshëm në këto shtete, ai do ta ketë pothuajse të sigurtë marrjen e nominimit republikan, megjithëse Senatori Ted Cruz udhëheq në shtetin e tij të lindjes, Teksas, ku është edhe numri më i madh i delegatëve për “super-të martën”. (voa)