Freedom House – liria e medias përballet me kërcënime të reja

FHFreedom House vlerëson në raportin më të ri për lirinë e medies së ajo është duke u përballur me kërcënime të reja në demokracitë e mëdha, si dhe në shtetet shtypëse, ku autoritetet po përqendrojnë përpjekjet e tyre në mediat sociale dhe platformat e tjera në internet pas goditjes së pavarësisë së medieve tradicionale.

“Udhëheqësit populistë sot paraqesin një sfidë të re dhe në rritje për lirinë e shprehjes në shoqëritë e hapura dhe ndërhyrja nga Rusia dhe Kina e ka shtuar kërcënimin”, tha Michael J. Abramowitz, president i Freedom House. “Sulmi ndaj lirisë së shtypit është një sulm kundër një institucioni thelbësor të demokracisë. Udhëheqësit e zgjedhur që përpiqen të diskreditojnë raportimin faktik dhe kritik po dëmtojnë llogaridhënien demokratike dhe debatin e arsyetuar politik”, citohet të ketë thënë ai.

Në prag të ditës botërore të lirisë së medies, Freedom House, ka analizuar gjendjen duke u mbështetur në raportet e tij për Lirinë në Botë, Vendet në tranzicion dhe Lirinë në internet, sipas së cilës pavarësia e medies është nën trysni në cdo rajon të botës, por po ashtu gazetarët e përkushtuar ende luajnë rol thelbësorë në një mjedis ende më armiqësor.

Në raport theksohet se demokracia u përball me krizën më serioze në dekada në vitit 2017, pasi parimet themelore të saj – përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, liria e shtypit dhe sundimi i ligjit – u sulmuan në mbarë botën.

Shtatëdhjetë e një vende pësuan rënie në të drejtat politike dhe në liritë civile, me vetëm 35 që shënuan përparim. Kjo shënoi vitin e 12-të radhazi të rënies së lirisë globale.

Shtetet e Bashkuara u tërhoqën nga roli tradicional si kampion dhe një shembull i demokracisë në mes të një rënieje të përshpejtuar të të drejtave politike dhe lirive civile.

Presidenti amerikan Donald Trump është kritikuar ashpër nga të dyja organizatat. Organizata “Gazetarët pa kufi” e cilësojnë atë “një person që sulmon mediat”, ndërsa “Freedom House” thotë se karakterizimi që i bën Trump medias si “armiku i popullit amerikan” dhe nënvleftësimi, nënçmimi i gazetarëve dhe organizatave të mediave se kanë “minuar besimin e publikut me gazetarinë e bazuar tek faktet”.

Shtëpia e Bardhë komentoi lidhur me raportin e organizatës “Freedom House”. Zëdhënësja Sanders tha në një konferencë shtypi, se administrata Trump mbron lirinë e shtypit dhe fjalën e lirë, por ajo mban një qëndrim kritik kur lajmet e publikuara në media janë të pavërteta dhe subjektive.

Sipas organizatës që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.

Shqipëria dhe Kosova radhiten në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Maqedoninë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi. Ndërsa Serbia dhe Kroacia, radhiten në mesin e vendeve të lira. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>