Gjenerator energjie me gaz natyror

gjenerator energjieMegjithë përpjekjet për energji të rinovueshme, bota vazhdon të mbështetet tek nafta, gazi dhe qymurguri. Ndërkohë, synimi është të zbulohen mënyra të reja për të përftuar më shumë energji nga burimet minerare dhe për të ulur nivelin e ndotësve të klimës.

Gjeneratorët elektrikë me motorë me djegie vazhdojnë të përdoren në ushtri dhe nga popullsia. Por, ata janë të zhurmshëm dhe ndotin ajrin.

Në të ardhmen e afërt, mund të zëvendësohen lehtësisht nga gjeneratorë elektrokimikë pa zhurmë, që punojnë me gaz natyror.

Gjeneratori 25-kilovat “Cube”,  i firmës “Redox”, përdor gaz natyror për të prodhuar elektricitet.

“Kur ajri kalon përmes katodave, shndërrohet në jone oksigjeni që udhëtojnë përmes një membrane, në pjesën ku ndodhet gazi natyror. Aty bashkëveprojnë, karburanti oksidohet duke çliruar elektrone dhe duke u shndërruar në energji”, thotë drejtori i kësaj firme, Bryan Blackburn.

Volumi i dioksidit të karbonit që çlirohet nga gjeneratori “Cube” është 50% më pak se një gjenerator me djegie. Për më tepër, ai është më i lehtë, nuk bën zhurmë dhe mirëmbahet kollaj.

“Është projektuar që të punojë pa ndërprerje dhe rrjeti i furnizimit me gaz është më i qëndrueshëm se sa ai i energjisë elektrike”, thotë zoti Blackburn

Ky tip gjeneratori mund të furnizojë me energji pjesë kritike të infrastrukturës, si p.sh. kullat e kompanive celulare apo ndërtesa komerciale dhe apartamente. Për fuqi më të madhe energjitike, disa gjeneratorë të tillë mund të lidhen së bashku.

Zhvillimi i mëtejshëm i gjeneratorit “Cube” po mbështetet nga Departamenti i Energjisë i SHBA-së dhe mendohet se do të dalë në treg në vitin 2018, me një kosto prej 2 mijë dollarësh për kilovat. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>