Gjermania nuk do të pranojë më imamë të dërguar nga Turqia dhe në vend të kësaj do të trajnojë klerikë myslimanë në territorin e saj, në funksion të një integrimi më të mirë.
Një program trajnimi që dërgon imamë turq në xhamitë gjermane do të ndërpritet gradualisht, pasi Gjermania kërkon të përgatisë klerikët e saj myslimanë për të inkurajuar integrimin, njoftoi të enjten Ministria e Brendshme e Gjermanisë.
Sipas një marrëveshjeje të re midis ministrisë, autoritetit fetar turk Diyanet dhe grupit koordinues turko-islamik DITIB, në qytetin Dahlem, në perëndim të Gjermanisë do të përgatiten çdo vit rreth 100 imamë. Këta imamë do të zëvendësojnë gradualisht rreth 1000 klerikët e trajnuar dhe të punësuar nga Diyaneti turk. “Ne kemi nevojë për liderë fetarë që flasin gjuhën tonë, njohin vendin tonë dhe mbrojnë vlerat tona,” tha në një deklaratë Nancy Faeser, ministrja e Brendshme e Gjermanisë.
“Ne duam që imamët të marrin pjesë në dialogun midis feve dhe të diskutojnë çështjet e besimit në shoqërinë tonë,” shtoi Faeser.
Sipas Konferencës Gjermane për Islamin (DIK), në Gjermani jetojnë rreth 5.5 milionë myslimanë, ose afërsisht 6.6% e popullsisë. “Ky është një hap i rëndësishëm për integrimin dhe pjesëmarrjen e komuniteteve myslimane,” tha Faeser.
Gjermania ka rreth 2500 komunitete të xhamive, nga të cilat 900 menaxhohen nga DITIB. Një degë e Presidencës së Çështjeve Fetare të Ankarasë, DITIB është shoqata më e madhe islamike e Gjermanisë, por atë e kanë akuzuar se vepron si një dorë e zgjatur i qeverisë turke.
Një anëtar i Talebanëve foli në një xhami në Këln
Debati i fundit për DITIB-in u ngrit kur një anëtar i talebanëve afganë foli muajin e kaluar në një nga xhamitë e organizatës, në qytetin perëndimor të Këlnit.
Në vitin 2017, zyrtarët gjermanë i kërkuan DITIB të ndërmarrë reforma thelbësore pas akuzave se imamët e dërguar nga Diyanet-i kishin spiunuar në emër të Ankarasë, pas grushtit të dështuar të shtetit kundër qeverisë së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. Diyanet-i mohoi çdo përfshirje dhe hetimi u mbyll pa u ngritur asnjë akuzë.
Ish-kancelarja Angela Merkel u shpreh për herë të parë në vitin 2018 në favor të përgatitjes së imamëve në tokën gjermane, duke i thënë parlamentit se kjo “do të na bëjë më të pavarur dhe është e nevojshme për të ardhmen”. Përgatitja e 100 imamëve në vit në Gjermani do të kryhet në kuadër të programit ekzistues të DITIB-it, ashtu dhe përmes një programi shtesë, tha ministria. Për këtë qëllim, ajo tha se po kërkonte “bashkëpunim me Kolegjin Gjerman të Fesë Islame” në Osnabrück.
dw