Një formulim jo i saktë për ligjin e ri të RDGJ-së për lirinë e udhëtimit çon në rënien e Murit të Berlinit. Gati një vit më vonë vuloset bashkimi i Gjermanisë. Stacionet deri më 3 tetor 1990 lexohen si roman policesk.
9 Nëntor: Pak orë pas fjalëve të famshme të Schabowskit( “…sipas dijenisë sime….kjo është tani, pa vonesë.”), grupe të tëra njerëzish duan të kalojnë në anën perëndimore të Berlinit. Miliona njerëz u vunë në lëvizje në ditët e para të lirisë së re. Në një kohë që anëtari i byrosë politike, Günter Schabowski e përmendi lirinë e udhëtimit vetëm rastësisht- dhe këtë jo të plotë. Testimi në praktikë vetëm pak orë më vonë erdhi nga berlinezët lindorë që detyrojnë hapjen e kalimeve në disa pika. Policët kufitarë të RDGJ-së tregohen të përmbajtur. Nuk dëgjohet asnjë e shtënë.
10 Nëntor: Një ditë më pas Eduard Shevarnaze, ministri i Jashtëm sovjetik deklaron se “ngjarjet në RDGJ” janë plotësist një çështje e udhëheqjes së re nën Egon Krenz. Ai dëshiron “sukses të plotë”. Por për sukses as që nuk bëhet fjalë. Vetëm tri ditë më vonë deputetët e parlamentit të partive të Bllokut nuk e ndjekin më partinë e plotfuqishme deri më atëherë, SED (partia e bashkuar socialiste). Partia dërgon Hans Modrow kreun e SED-së në Drezden në garë, për të shpëtuar ç’mund të shpëtohet.
Katër ditë pas rënies së murit, parlamenti zgjedh Modrow si kryeministër, një kryeministër me post të humbur. Në një kohë që në Bundestag debatohet hapur për bashkimin, në Laipcig dalin në rrugë gati një çerek milioni njerëz për të demonstruar me moton: “Gjermania -atdhe i bashkuar”. Ndërkohë që deklaratat e intelektualëve me emër si Christa Wolf dhe Stefan Heym, që kërkojnë ende më tej mëvetësinë për vendin, kalojnë pa u dëgjuar mirë.
Helmut Kohl merr iniciativën
28 Nëntor: Në tre javët e para pas rënies së murit shumë gjëra mund të mendoheshin, disa madje ishin të realizueshme. Por bashkimi ende shihet si hekur i nxehtë. Në qarkullim është ideja e një konfederate; diskutohen ide për reformimin e rrugës socialiste të RDGJ-së. Ndërkohë kancelari Helmut Kohl kërkon një rrugë për të marrë përsipër drejtimin e opinionit. Në Bundestag ai paraqet më 28 nëntor “planin dhjetëpikësh” që bie si bombë. Ministri i Jashtëm francez, Roland Dumas shprehet se gjermanët po tregojnë “një arrogancë në rritje”. Vërtet askush tjetër nuk u konsultua më parë. Ky dokument është një plan veprimi për bashkimin – por me një afat kohor pesë deri në dhjetë vjet. Ende qëllimi në këtë moment është konfederata.
3 Dhjetor: Gjermanolindorët vazhdojnë të dalin në rrugë. Byroja politike kapitullon, dhe komiteti qendror – të dy institucionet japin dorëheqjen, bashkë me Egon Krenz që ishte përpjekur të shpëtonte shtetin me kompromise ndaj lëvizjes qytetare.
Drezden: Toni i zgjedhur dhe fjalët e duhura
19 Dhjetor: Në këtë sfond dalja publike e kancelarit para rrënojave të kishës së Zonjës së Mirë në Drezden është një moment kulminant emocional, sidomos për ata që nuk donin më të dinin për reformat, por kërkonin bashkimin. Kohl gjen fjalët e tonin e duhur dhe prek zemrën e dhjetëra mijëra gjermanëve. Ai bën fjalë për qëllimin e tij për bashkimin e vendit në paqe dhe liri. Bota e jashtme është e impresionuar, masa e entuziazmuar. Vetë Kohl përjetimin e tij në Drezden e quan më vonë si një nga momentet më prekëse të jetës së tij politike.
15 Janar 1990: Viti i ri nuk fillon i qetë. “Tryeza e rrumbullakët” ku marrin pjesë përfaqësues të sistemit të vjetër me drejtues të lëvizjes qytetare konfrontohet me monstrën Stasi: Bëhet publike se ky institucion, mishërimi i një shteti policor ka pasur në dispozicion 85.000 punonjës zyrtarisht të punësuar, dhe 110.000 të tjerë si “punonjës jozyrtarë”. Ndërkohë disa zyra të Stasit në disa zona janë nën kontrollin e lëvizjes qytetare.
Por jo qendra e Stasit në rrugën Normannen në Berlin. Këtu në mënyrë të pakontrolluar po digjeshin provat për të pabërat e këtij institucioni. Në të njëjtën ditë ndërtesa u bllokua nga demonstruesit. Bashkë me ta edhe spiunë të Stasit që i orientonin njerëzit qëllimisht gabim. Raste që nuk u zbardhën kurrë, por zënia e ndërtesës së Stasit ishte edhe ora e lindjes së autoritetit gjerman për dosjet e Stasit, ku deri më sot grumbullohen, vlerësohen dhe mund të shihen dosjet.
Zgjedhje të lira me përfundim surprizues
18 Mars: Popullsia e RDGJ-së ndodhet para një votimi historik, zgjedhjet e para të lira. Sidomos partitë perëndimore janë shumë prezente në fushatën zgjedhore. Ish-kancelari gjerman Willy Brandt del në ture zgjedhore, Helmut Kohl po ashtu. Daljet e Kohlit në publik bashkojnë miliona njerëz, por ekspertët parashohin një fitore të socialdemokratëve. Por rezultati i numërimit të votave më 18 mars në mbrëmje sjell sensacionin. Aleanca qytetare e Kohlit fiton bindshëm, socialdemokratët dalin më pak të fuqishëm, partia pasuese e SED-së, PSD fiton vetëm 16% të votave.
18 Maj: Bashkimi duket si një punë e përfunduar, ekonomia e tregut do të futet edhe në Lindje. Në Bonn nënshkruhet një union ekonomik, valutor dhe social që hyn në fuqi më 1 korrik. Qytetarët e lindjes marrin marka perëndimore në dorë. Me këtë fillon edhe rendi i ri i ekonomisë gjermano-lindore.
Çështja e aleancës në NATO – pikë nevralgjike
15/16 Korrik: Në politikën e jashtme përkatësia në NATO e një Gjermanie të bashkuar është një sinjal alarmi për Moskën dhe pengesa më e vështirë për bashkimin. Por kreu i shtetit sovjetik dhe kreu i partisë, Mihail Gorbatçov lëkundet. Kohl ka marrë ndërkohë mbështetjen amerikane të presidentit George Bush për një anëtarësim të të gjithë Gjermanisë. Rëndësi të veçantë luan këtu samiti i NATO-s në Londër në fillim të korrikut. Ai përcakton një orientim të ri defensiv për NATO-n, një karrem për sovjetikët. Kështu Helmut Kohl në një vizitë private, por historike me Gorbatçovin në vendlindjen e tij në Kaukaz arrin të marrë bekimin rus për anëtarësinë në NATO të Gjermanisë së bashkuar.
23/24 Gusht: Procesi i bashkimit merr udhë. Deputetët e parlamentit të RDGJ-së vendosin më 23 gusht për aderimin në Republikën Federale. Si datë vendoset 3 tetori, një datë e koordinuar me qeverinë e Bonnit. Kreu i PDS, Gregor Gysi merr vetëm të tallura kur komenton se parlamenti vendosi as më shumë e as më pak por “fundin e Republikës Demokratike Gjermane”. Një ditë më vonë me ligj vendoset ndalimi i shkatërrimit të milionave dokumenteve të Stasit.
Pengesat e fundit para bashkimit
12 Shtator: Në fund bëhet fjalë për para. Qeveria e Bonnit i ofron Bashkimit Sovjetik 12 miliardë marka gjermane si kompensim për shpenzimet e tërheqjes së Ushtrisë së Kuqe nga Gjermania lindore. Shumë pak, mendon Gorbatçovi. Kohl në fillim kundërshton, por ofron më pas edhe 3 miliardë marka të tjera, si kredi pa normë interesi. Me këtë hapet rruga për nënshkrimin e marrëveshjes “2+4″. Ministrat e Jashtëm vulosin më 12 shtator në Moskë një kapitull historik.
Dita e parë e një Gjermanie të bashkuar
2/3 Tetor: Dita e madhe e bashkimit ofron njëherësh disa uvertura. Në Nju Jork ministrat e Jashtëm të fuqive fituese të Luftës së Dytë Botërore heqin dorë nga të gjitha të drejtat e posaçme që kishin pas kapitullimit të ushtrisë gjermane në vitin 1945. Pas kësaj tre komandantët e pjesës perëndimore të Berlinit deklarojnë dorëheqjen nga të drejtat e deriatëhershme. Parlamenti lindor mblidhet për herë të fundit. Pak më parë RDGJ largohet nga Traktati i Varshavës. Në minutin 00:00 të 3 tetorit në Berlin ngrihet flamuri gjerman. Dy milionë vetë ndjekin evenimentin e bashkimit.
dw