Gjigandi kinez, Huawei në rrezik përballë sanksioneve amerikane

HuaweiDuke filluar nga 15 shtatori, gjigandi kinez i telekomunikacionit, Huawei — dikur simbol i kapacitetit teknologjik të Kinës, nuk do të ketë më qasje në furnizime jetike me gjysëm-përçues. Pa këto pjesë elektronike, Huawei nuk mund të prodhojë telefona inteligjentë, apo pajisje 5G që kërkohen sot nga bizneset, thonë analistët.

Sanksionet kundër një prej kompanive më të fuqishme kineze u njoftuan në gusht, kur SHBA vendosi rregullore të reja, sipas të cilave kompani të huaja që prodhojnë çipe me teknologji amerikane nuk lejohen t’ua shesin produktet e tyre Huaweit pa siguruar një liçencë speciale për këtë aktivitet.

Gjatë javëve të fundit, kompani furnizuese nga Koreja e Jugut dhe Tajvani kanë sinjalizuar se do të respektojnë sanksionet dhe do të ndalin shitjen e gjysëm-përçuesve për Huawein të martën, kur hyjnë në fuqi masat kundër kompanisë kineze.

“Për fat të keq, në raundin e dytë të sanksioneve amerikane, kompanitë tona që prodhojnë çipe kanë pranuar porosi deri më 15 maj. Prodhimi i çipeve do të ndalet më 15 shtator,” tha muajin e kaluar Richard Yu, shef ekzekutiv i linjës së produkteve të konsumit të kompanisë Huawei.“Ngaqë nuk ekziston një industri kineze e prodhimit të çipeve, Huawei ndeshet tani me problemin e mungesës së çipeve,” tha ai.

Mikroçipet

Megjithë përpjekjet e Kinës për t’u bërë superfuqi globale në teknologjinë e lartë, fabrika e botës ende nuk ka arritur të prodhojë mikroçipe të cilësisë së lartë, elementi thelbësor në sistemin që ndërlidh çdo pajisje elektronike.

Një tregues i rëndësishëm i nivelit të sofistikimit të një mikroçipi është numri i tranzistorëve që ai mban në sipërfaqe. Sa më i vogël (madhësia matet me nanometra), aq më i avancuar është mikroçipi.

Modeli më i avancuar i mikroçipeve që prodhon Kina është 14 nanometra, që janë disa gjenerata pas mikroçipeve të Samsungut apo kompanisë tajvaneze TSMC. Samsungu e arriti standardin aktual të Kinës në 2014.TSMC, prodhuesja më e madhe e çipeve në botë, prodhon mikroçipe me madhësi 5 nanometra.

Shumë nga prodhuesit më të avancuar nuk operojnë në SHBA, por industria e mikroçipeve është shumë e varur nga programet kompjuterike dhe pajisjet e sofistikuara të shpikura nga kompani amerikane.

Uashingtoni e përfshiu për herë të parë kompaninë Huawei në listën e zezë tregtare në maj 2019, duke ngritur shqetësime se përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare. Megjithatë, masat nuk preknin pjesën më të madhe të kompanive të huaja që prodhojnë mikroçipe. Në maj, SHBA i zgjeroi masat kufizuese për të mos lejuar që Huawei të furnizohej nga kompani të tjera, jo-amerikane. Kjo dëmton direkt kompanitë kineze të gjysëm-përçuesve që prodhojnë për tregun kinez.

Në fillim të muajit të kaluar, kompania më e madhe kineze e prodhimit të mikroçipeve, SMIC, sinjalizoi se do të respektonte kufizimet e vëna nga SHBA dhe nuk do t’i shiste çipe Huaweit. Si shumë prodhues të tjerë të gjysmë-përçuesve, SMIC është e varur nga kompanitë amerikane për pajisje jetike.

“Dominimi amerikan në furnizimin e sektorit teknologjik të gjysmë-përçuesve nënkupton se firmat teknologjike kineze janë të ekspozuara ndaj kontrolleve amerikane të eksportit, pavarësisht nga situata me kompani individuale si SMIC apo Huawei,” tha për Zërin e Amerikës John Lee, analist në Institutin Mercator për Studime mbi Kinën.

Tentativa të Dështuara të Kinës

Pekini prej kohësh është përpjekur të kapërcejë varësinë nga vende të tjera në sektorin e gjysmë-përçuesve. Në vitet 1950, shteti krijoi një grup shkencëtarësh për të krijuar një “Program për Zhvillimin Shkencor dhe Teknologjik, 1956-1967,” ku teknologjia e gjysmë-përçuesve u identifikua si “me përparësi kyçe”.

Në dekadat e fundit, Kina ka shpenzuar burime të konsiderueshme shtetërore për të përmbushur ambicjet në sektorin e gjysmë-përçuesve.

Një raport i publikuar në korrik 2019 nga Komisioni Amerikan për Tregtinë Ndërkombëtare tha se fondet e shpenzuara po arrijnë në thuajse 150 miliardë dollarë.

James Andrew Lewis, nënpresident i lartë dhe drejtor i Programit të Politikave të Teknologjisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, i tha kanalit CNBC javën e kaluar se Kina mund të shpenzojë shumë më shumë se Shtetet e Bashkuara, 1,000 herë më shumë, kur bëhet fjalë për investimet në industrinë e prodhimit të gjysmëpërçuesve.

Në vitin 2016, Presidenti i Kinës Xi Jinping tha se “fakti që teknologjia kryesore kontrollohet nga të tjerët është rreziku ynë më i madh i fshehur”.

Zoti Xi e theksoi çështjen përsëri të premten e kaluar gjatë një simpozium mbi shkencën dhe teknologjinë gjatë periudhës së Planit të 14-të Pesë-vjeçar (2021-2025).

“Disa teknologji kryesore thelbësore kontrollohen nga të tjerët,” tha ai.

Javën e kaluar, në përgjigje të kufizimeve të reja të Shteteve të Bashkuara ndaj kompanisë Huawei, Kina njoftoi një seri të re gjithëpërfshirëse politikash qeveritare për të zgjeruar industrinë e saj të prodhimit të gjysmëpërçuesve duke ofruar mbështetje të gjerë për gjeneratën tjetër të gjysmëpërçuesve në Planin e 14-të Pesë-vjeçar.

Me shpresën se teknologjitë kryesore nga firmat e huaja do të transferohen te kompanitë kineze, Pekini gjithashtu ka inkurajuar prodhuesit amerikan të çipave që të formojnë ndërmarrje të përbashkëta me firmat vendase. Sipas MERICS, organizatë studimi me qendër në Gjermani, përpjekja e Kinës për të prodhuar teknologji të huaj nganjëherë ka në shënjestër madje dhe industri të tëra.

“Pothuajse të gjitha kompanitë e mëdha të prodhimit të gjysmëpërçuesve në Shtetet e Bashkuara kanë marrë oferta investimi nga kompani të shtetit kinez,” thuhet në një raport hulumtues të organizatës MERICS.

Nga ana tjetër, Douglas Fuller, një profesor në Universitetin e Qytetit të Hong Kongut, i cili studion industrinë e teknologjisë, tha se Kina nuk duhet parë si një dështim.

“Ka vetëm katër firma përpara kompanisë SMIC në prodhimin e pajisjeve gjysmëpërçuese, dy nga Tajvani (TSMC dhe UMC), Samsungu i Koresë së Jugut dhe GloFo nga Shtetet e Bashkauradhe Emiratet e Bashkuara Arabe,” i tha zoti Fuller Zërit të Amerikës përmes një emaili.

Sa i përket prodhimit në masë, ka vetëm dy vende me teknologjinë kryesore, kompania TSMC në Tajvan dhe Samsung në Korenë e Jugut, tha ai.

“Madje dhe kompania Intel është mbrapa tyre (TSMC dhe Samsung).Kështu që përveç Tajvanit dhe Koresë, e gjithë pjesa tjetër e botës është prapa në teknologjinë e sofistikuar të prodhimit në këtë industri, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Japoninë, Izraelin dhe gjithë Evropën,” tha Fuller .

A do të mbijetojë Huawei?

Mbetet e paqartë se ku Huawei do të jetë në gjendje të blejë çipa. Prodhuesi tajvanez MediaTek tha muajin e kaluar se kishte dorëzuar një kërkesë te qeveria e Shteteve të Bashkuar për leje për të vazhduar furnizimin e Huawei pas hyrjes në fuqi të rregullave të reja amerikane mbi bashkëpunimin me kompaninë kineze. Ndërkohë, Huawei thuhet se ka mbledhur sasi të mjaftueshme silikoni për të mbështetur biznesin e saj për një periudhë dy vjeçare.

“Në aspektin afatshkurtër, është e vështirë të shohësh ndonjë opsion efektiv të disponueshëm për firmat kineze që janë në shënjestër të kontrolleve amerikane të eksportit të gjysmëpërçuesve”, tha zoti Lee, i cili merret me studimin e teknologjisë dixhitale kineze.

Në lidhje me të ardhmen, analistët thonë se Shtetet e Bashkuara nuk ka të ngjarë të jenë në gjendje të pengojnë Kinën në prodhimin e gjysmëpërçuesve të thjeshtë. Me kalimin e një kohe të mjaftueshme, tregu i gjerë i konsumit në vend për pajisje elektronike dhe dekadat e investimeve mund të çojnë në krijimin e kapaciteteve të prodhimit të çipave.

“Në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë, Kina ndoshta do të jetë në gjendje të zëvendësojë teknologjinë amerikane dhe të zhvillojë një zinxhir të plotë të furnizimit me gjysmëpërçues vendas (megjithëse është e vështirë të parashikohet nëse ato mund të arrijnë sofistikimin e firmave të huaja teknologjike)”, thuhet në emailin e zotit Lee.

James Lewis, drejtor i Programit të Politikave të Teknologjisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), shkroi në maj se Huawei është dëmtuar nga përpjekja e Shteteve të Bashkuara, “por qeveria kineze nuk do të lejojë shkatërrimin e saj, Huawei është një kompani shumë e rëndësishme”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>