Si “kancelar i ribashkimit” Helmut Kohl-in ka kohë që vlerësohet. Vendin në librat e historisë ai e ka të sigurt. Tani, ish-kryetari i CDU-së mbushi 85 vjeç.
Ish-kancelarin dhe kryetarin e CDU-së, Helmut Kohl e vlerësuan lart në 85 vjetorin e tij për meritat në ribashkimin e Gjermanisë dhe integrimin evropian. Presidenti i Gjermanisë, Joachim Gauck, Në telegramin e urimit dërguar Helmut Kohl-it, shkruan se për të “si dhe për pjesën më të madhe të bashkëatdhetarëve tanë në Lindje dhe në Perëndim” ka rëndësi të jashtëzakonshme “që ju nuk u pajtuat kurrë me ndarjen e vendit tonë.” Gauck e siguroi Kohlin se “Gjermania nuk do të harrojë kurrë, që në kohën e duhur vendosët dhe përfunduat veprimin e duhur për Gjermaninë.”
Bashkimi Evropian dhe bashkimi i Gjermanisë janë edhe vepra e Helmut Kohl-it, vlerësoi kancelarja Angela Merkel në një shkrim për gazetën “Bild”. Megjithëse raporti i saj me Helmut Kohl-in konsiderohet i acaruar, kancelarja e çmoi me notat më të larta kontributin e Kohl-it për ribashkimin.
“Ai e arriti këtë, sepse si askush tjetër kishte krijuar për vite të tëra besim, nga Uashingtoni në Paris, Londër dhe Bruksel deri në Moskë. Ky kancelar i besimit ishte për ne gjermanët një fat.”
Kancelarja Angela Merkel, me origjinë nga Gjermania Lindore i bëri hapat e parë në politikën federale si ministre në qeverinë e Helmut Kohl-it. Vëzhgues të ndryshëm konstatojnë se stili i saj i qeverisjes, me kalimin e kohës i përngjet gjithnjë e më shumë stilit të Helmut Kohlit. Historiani i njohur gjerman, Paul Nolte i tha dje gazetës “Tagesspiegel” se Merkeli, si dikur Kohli ka një “stil qetësues në qeverisje” dhe përpiqet që në “mënyrë pragmatike ta mbajë CDU-në si parti të Qendrës.”
‘Me pak lëvizje krijoi realitet të pamohueshëm’
Ish- Ministri i Jashtëm i SHBA, Henry Kissinger hodhi vështrimin në një shkrim për gazetën “Bild” në ribashkimin e Gjermanisë dhe e vlerësoi kështu Helmut Kohlin: “Me pak lëvizje të guximshme ai krijoi atëherë një realitet të pamohueshëm dhe bëri realitet atë që konsiderohej për një kohë të gjatë një ëndërr e largët.”
Zëvendëskryetarja e CDU-së, Julia Klöckner e vlerësoi veprën e Kohlit si “burrë të historisë botërore”. Duke iu referuar aferës së donacioneve të CDU-së, me të cilën Helmut Kohl dëmtoi partinë dhe veten, pas largimit të tij nga posti në vitin 1998, Klöckner tha: “Kam përshtypjen se me kalimin e kohës ka zënë vend edhe njëfarë pajtimi.” Ai që e hedh vështrimin tek Helmut Kohli, duhet ta vështrojë veprën e tij në të gjithë gjerësinë e saj.
1871 dhe 1990
Ribashkimin e Gjermanisë në vitin 1990 dhe bashkimin e Gjermanisë, në vitin 1871 i krahasojnë shpesh – për rëndësinë dhe rrethanat e jashtme. Si në 1871 Bismarcku, ashtu edhe në vitin 1990 Helmut Kohli para aktit të tyre u përballën me frikërat e shteteve fqinje: se një Gjermani e ribashkuar do të përpiqej të zgjeronte edhe kufijtë, në kurriz të fqinjëve. Në të dyja rastet, Bismarku dhe Kohli arritën t’i qetësojnë me sukses shtetet fqinje – duke mundësuar bashkimin, përkatësisht ribashkimin e Gjermanisë.
Helmut Kohli ishte prej vitit 1982 deri 1998 kancelar i Gjermanisë dhe për 25 vjet kryetar i CDU-së. Në vitin 2008, pas një rrëzimi, ai pësoi një traumë të rëndë të kafkës dhe trurit dhe që atëherë ndodhet në karrige me rrota. Ai flet me vështirësi. Datëlindjen e tij të Premten e Madhe(03.04.2015) ai e feston në mënyrë private me pak njerëz në shtëpinë e tij, në Ludwig – Oggersheim. CDU-ja nuk do të organizojë ceremoni. Në vend të kësaj, në verë Fondacioni Konrad – Adenauer do të organizojë një simpozium të posaçëm në nder të tij. (dw)