Ekstremistë të Shtetit Islamik kanë ekzekutuar në qytetin libian të Sirtes të paktën 49 vetë, që nga muaji shkurt 2015, duke përfshirë robër lufte, kundërshtarë politikë dhe banorë lokalë të akuzuar për magji, apo rituale pagane. Qyteti i Sirtes është baza më e madhe e ISIS jashtë Sirisë dhe Irakut, sipas një raporti të nxjerrë të mërkurën nga grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.
Ekstremistët e ISIS kanë kryer rrëmbime, ndërkohë që dhjetëra luftëtarë të grupeve paraushtarake libiane figurojnë të zhdukur në Sirte. Shumë prej tyre mendohen të vdekur, sipas organizatës Human Rights Watch.
Ligji Islamik
Ashtu si në qytete të tjera të kontrolluara nga ISIS në rajon, grupi xhihadist ka vendosur interpretimin e tij të rreptë të ligjit islamik, Sheriatin në Sirte, duke marrë nën kontroll të gjitha aspektet e jetës së përditshme të banorëve “deri tek gjatësia e pantallonave të burrave, gjerësia dhe ngjyra e rrobave të grave dhe lëndët e mësimit për nxënësit në shkollat shtetërore,” thotë Human Rights Watch në një raport me titull “Ndjehemi të Mallkuar”.
Ekstremistët nuk po arrijnë t’i sigurojnë popullatës lokale nevojat bazë. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut “ISIS po ia kalon rezervat ushqimore, ilaçet, sasitë e karburantit, fondet monetare si dhe shtëpitë e konfiskuara pas largimit të banorëve, luftëtarëve të tij dhe funksionarëve që ka vënë për të drejtuar qytetin”.
Kontroll i një Shteti Policor
Raporti i Organizatës Human Rights Watch doli në një kohë kur banorët në Sirte raportojnë se ISIS ka forcuar kontrollet e sigurisë në qytet dhe ka filluar të grumbullojë rezerva ushqimore në përgatitje për një sulm të fortë kundër qytetit, që është edhe vendlindja e ish-udhëheqësit libian Moammar Gadhafi.
Të hënën, pas takimit në Vjenë të diplomatëve nga mbi 20 vende, fuqitë perëndimore njoftuan gatishmërinë e tyre për të ndihmuar libianët të luftojnë ISIS, i cili kontrollon afro 300 km të bregdetit libian, duke armatosur Qeverinë e Akordit Kombëtar, të ngritur në një process negociatash të ndërmjetësuar nga OKB.
Situatë e vështirë për Forcat e Mbështetura nga Perëndimi
Grupe paraushtarake nga Misrata, të cilët mbështesin Qeverinë e Akordit Kombëtar janë përfshirë në luftime të ashpra me ISIS dhe këtë javë arritën të marrin nën kontroll një udhëkryq të rendësishëm në Abu Grain, që ekstremistët e kishin vënë nën kontroll muajin e kaluar.
Forca besnike ndaj Gjeneralit Khalifa Haftar, të cilat kundërshtojnë Qeverinë e Akordit Kombëtar dhe mbështesin forcën rivale, Qeverinë e Shpëtimit Kombëtar kanë zhvilluar përleshje pranë Sirtes si dhe mund të jenë në përgatitje për një sulm të ri ndaj qytetit, para se fuqitë perëndimore të sjellin furnizime me armë për Qeverinë e Akordit Kombëtar, thonë analistët.
Organizata Human Rights Watch: Masakra në Sirte
Në raportin e saj organizata thotë se banorët përshkruajnë skena tmerri, me ekzekutime publike me prerje koke, kufoma të veshura në kominoshe ngjyrë portokallo të varura në publik, dhe ekstremistë me maska që rrëmbejnë burrat nga shtëpitë e tyre në mes të natës. Banorët thonë se policia e moralit, e njohur si Hisba, patrullon rrugët duke kërcënuar me gjoba ose rrahje me kamzhik burrat që pinë duhan, dëgjojnë muzikë, apo nuk kontrollojnë gratë dhe motrat për veshjen nga koka te këmbët me “abaya” të zezë.
Fuqitë Perëndimore të vendosura
Qeveritë perëndimore po ndjehen gjithnjë e më të alarmuara nga prania e ISIS në Libi dhe duket se janë të gatshme të mbështesin qeverinë e akordit në përpjekje për të rikthyer stabilitetin në vend. Por Qeveria e Akordit Kombëtar ballafaqohet me sfida reale në përpjekjet për të shtrirë autoritetin e saj përtej Tripolit, si rezultat i forcave politike rivale në Libi. (voa)