Irani mbajti të enjten funeralin për udhëheqësin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, vrasja e të cilit në Teheran ka shtuar frikën për një konflikt rajonal.
Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, mori pjesë në ceremoni së bashku me presidentin e ri të Iranit, Masoud Pezeshkian.
Ismail Haniyeh ishte në Teheran për të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të presidentit Pezeshkian. Hamasi tha se Ismail Haniyeh do të varroset të premten në Katar.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, nuk komentoi drejtpërdrejt sulmin të enjten teksa po viziton Mongolinë, por bëri thirrje për qetësi në Lindjen e Mesme.
“Tani për tani, rruga nëpër të cilën po kalon rajoni është drejt më shumë konflikteve, drejt shtimit të dhunës, të më shumë vuajtjeve, të pasigurisë më të madhe dhe është thelbësore që ta thyejmë këtë cikël dhe kjo të fillojë me armëpushimin për të cilin kemi punuar, që besoj se jo vetëm që është i arritshëm, por duhet arritur”, tha sekretari Blinken.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, paralajmëroi të mërkurën se vrasja e Ismail Haniyeh dhe vrasja nga Izraeli e një komandanti të Hezbollahut në Bejrut “paraqesin një përshkallëzim të rrezikshëm” të tensioneve në rajon.
Antonio Guterres tha në një deklaratë se në një kohë kur “të gjitha përpjekjet” duhet të përqendrohen në arritjen e një armëpushimi në luftën gati 10-mujore Izrael-Hamas në Gaza dhe shtimin e ndihmës humanitare për palestinezët e uritur, “ajo që po shohim janë përpjekjet për të dëmtuar këto synime”.
Sekretari Guterres bëri thirrje për “përmbajtje maksimale nga të gjithë”, por pranoi se “vetëm kjo përmbajtje është e pamjaftueshme në këtë kohë jashtëzakonisht të ndjeshme”.
Izraeli vrau të martën në mbrëmje një komandant të lartë të Hezbollahut, Fouad Shukur, në një sulm ajror në Bejrut. Izraeli tha se Shukur ishte përgjegjës për një sulm të 27 korrikut që vrau 12 fëmijë dhe adoleshentë në rrafshnaltën e Golanit të kontrolluar nga Izraeli.
Ushtria izraelite e cila foli për sulmin që vrau Shukurin, nuk bëri asnjë koment për sulmin ajror para agimit të së mërkurës në kryeqytetin iranian.
Në një deklaratë të mëvonshme, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të “përgjigjet ashpër ndaj çdo agresioni ndaj nesh në çdo front”, por nuk përmendi vrasjen e Ismail Haniyeh.
Ilan Berman, nënkryetar i Këshillit të Politikës së Jashtme Amerikane, i tha Zërit të Amerikës se është e qartë se Izraeli ishte përgjegjës për vrasjen e z. Haniyeh dhe se ajo është pjesë e një strategjie izraelite për t’iu përgjigjur dështimeve të tij në sulmin e 7 tetorit nga Hamasi.
Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se Uashingtoni nuk e sheh një konflikt të gjerë në rajon si të pashmangshëm dhe se po punon për ta parandaluar një gjë të tillë.
Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje amerikanëve që të shmangin udhëtimin në të gjithë Libanin, jo vetëm në bastionin e Hezbollahut në Libanin jugor. Britania dhe Australia lëshuan paralajmërime të ngjashme për qytetarët e tyre.
Udhëheqësi iranian Khamenei u zotua të hakmerret për vrasjen e Isamil Haniyeh, duke thënë se Izraeli “përgatiti një dënim të ashpër për veten”.
“Ne e konsiderojmë hakmarrjen si detyrën tonë,” tha Khamenei në një deklaratë në faqen e tij zyrtare, duke vënë në dukje se Ismail Haniyeh ishte “një mysafir i dashur në shtëpinë tonë”.
Brigadat Izzedine al-Qassam, që paraqesin krahun e armatosur të Hamasit, gjithashtu u zotuan të hakmerren dhe paralajmëruan “pasoja të rënda ” për Lindjen e Mesme.
Richard Goldberg, këshilltar i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, i tha Zërit të Amerikës se për shkak se z. Haniyeh u vra në tokën iraniane, çështja është nëse Irani do t’ua lërë zgjatimeve të tij si Hezbollahu, kryengritësit Houthi me bazë në Jemen ose milicive në Irak dhe Siri që të përgjigjen, ose nëse Irani do të veprojë ashtu siç bëri në muajin prill, në përgjigje të një sulmi ajror izraelit në konsullatën e Iranit në Siri dhe do të nisë sulme ndaj Izraelit.
Norman Roule, një ish zyrtar amerikan i zbulimit për Iranin, i tha Zërit të Amerikës se ka një “gjasë të madhe” se Irani do të përgjigjet, por se do të duhet të shqyrtojë një lloj veprimi që tregon se mund të godasë Izraelin pa filluar një konflikt rajonal.
Ismail Haniyeh u vra gati 10 muaj pasi Hamasi i mbështetur nga Irani nisi një sulm terrori në Izraelin jugor, duke vrarë 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje.
Kundërsulmi Izraelit në Gaza la pas vetes më shumë se 39,400 palestinezë të vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, ndërsa Izraeli thotë se numri i të vdekurve përfshin mijëra luftëtarë të Hamasit.
*Disa pjesë të këtij artikulli u morën nga agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.