Jeta e Malalas subjekt i një dokumentari të ri

MalalaDokumentari i ri i kineastit Davis Guggenheim He Named Me Malala- Ma vuri emrin Malala, na njeh me jetën e 18-vjeçares Malala Yousafzai, adoleshentja pakistaneze, e cila në vitin 2012 u qëllua në kokë nga talebanët pasi kishte ngritur zërin për të drejtën për arsim në vendlindjen e saj, Luginën Swat të Pakistanit. Dokumentari rrëfen se si Malala tashmë është bërë simbol i arsimimit të vajzave në mbarë botën.

Më 9 tetor 2012, Malala Yousafzai u qëllua në kokë nga talebanët kur po shkonte në shkollë në Pakistan. Ajo u vu në shenjestër pasi kishte ngritur zërin për të drejtën për arsim në një kohë kur talebanët sulmonin shkollat në luginën Swat. Ajo ishte në rrezik jete.

Por Malala i mbijetoi sulmit dhe është tani më e fortë se kurrë.

Për të kuptuar karakterin e Malalas dhe forcën e saj të brendshme, Davis Guggenheim analizon dinamikat në familje, sidomos rolin e babait.

“Kur ishte shumë e vogël, vinin miq në shtëpi dhe ne diskutonim për politikë, për të drejtat bazë. Ajo ulej me ne e dëgjonte”.

“Kur isha e vogël dëgjoja çfarë thoshte babai, si fliste”.

Davis Guggenheim thotë se jeta e adoleshentes pakistaneze ishte thuajse e parashikueshme që nga momenti kur i ati i vuri emrin e Malalas, një heroinë popullore afgane e shekullit të 19t-të.

“Ajo gjeti frymëzim tek vajza afgane nga e cila ishte marrë emri, Malalai, një vajzë që shprehte bindjet e saj. Ajo mobilizoi afganët për të luftuar kundër britanikëve”.

Filmi përcjell edhe momentet e vështira kur Malala u qëllua në kokë dhe i ati ndjehej përgjegjës që kishte vënë në rrezik jetën e vajzës me idetë të rrezikshme. Por Malala mendon ndryshe.

“Babai më vuri emrin e Malalait, por nuk më bërë Malalai”.

Filmi ngre pyetjen: çfarë ndikoi për ta bërë Malalan personin që është sot?

“Unë e zgjodha këtë jetë.”

  Gazetari: “Si do të ishe sot po të kishe qenë një vajzë e zakonshme nga lugina Swat?”

MALALA: “Unë jam një vajzë e zakonshme edhe sot. Por po të kisha pasur prindër të zakonshëm dhe një familje konservatore, sot do të isha nënë me dy fëmijë”.

Pas një periudhe të gjatë e të vështirë rikuperimi, Malala vendosi t’i dedikohet misionit të arsimimit të vajzave në të gjithë botën. Kineasti thotë se ajo nuk e njeh frikën.

“Malala flet me udhëheqës botërorë. Ishim në Nigeri kur Boko Harami rrëmbeu vajzat nga shkolla. Ajo kërkoi të flasë me Presidentin Goodluck Jonathan dhe e pyeti “Cfarë do të bëni për vajzat? E keni për detyrë të siguroni lirimin e tyre”. Ajo është takuar me Presidentin Barak Obama dhe e ka pyetur për sulmet me avionë pa pilot”.

Për këtë guxim dhe mesazhin që përcjell Malala u nderua me Çmimin Noble të Paqes në 2014.

“Bota ka çka mëson prej saj, jo vetëm për faktin që u qëllua në kokë gjatë rrugës për në shkollë. Jo vetëm për aktivizmin e saj, por sepse ka një thellësi të jashtëzakonshme shpirtërore. Ajo është shumë spirituale, por është edhe një zë i fuqishëm që flet në emër të shumë njerëzve, të cilëve sot nuk u dëgjohet zëri”. 

“Unë e rrëfej historinë time, jo sepse është unike. Por sepse shumë vajza kanë të njëjtën histori. Ato e kuptojnë çfarë rëndësie ka drita në errësirë, çfarë rëndësie ka zëri ynë. Të marrim në dorë librin dhe penën, ato janë armë të fuqishme”. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>