Jürgen Habermas – filozofi republikan

Jürgen HabermasJürgen Habermasi dhe Republika Federale e Gjermanisë – kjo është një histori se si filozofia politike mund të ketë ndikim të fortë edhe në realitet, thotë Martin Muno.

Është historia e një afrimi që kërkoi shumë kohë: Në vitet 1950 dhe ’60, Jürgen Habermasi konsiderohej marksist. Disertacioni i tij “Ndryshimi strukturor i publikut” tingëllon si kritikë rrënjësore për përqendrimin e kapitalit dhe të pushtetit. Kjo në një kohë, kur në republikën e re federale njerëzit gëzoheshin për pasojat e mrekullisë ekonomike. Që shumë pozicione kyçe i mbanin ende nazistë të vjetër, siç ishte në Kancelarinë Federale bashkëautori i ligjeve racore të Nyrnmbergut Hans Globke, për këtë preferohej të heshtej.

Trajtimi i periudhës naziste u diskutua për herë të parë me forcë nga lëvizja e vitit 1968, me të cilën Habermasi, megjithatë nuk ndihej rehat. Në vitin 1986, në të ashtuquajturën “grindje të historianëve”, ai kundërshtoi me vendosmëri përpjekjet akademike që mohonin unikalitetin e Holokaustit. Në debat diskutohej edhe çështja e fajit dhe përgjegjësisë në trajtimin e historisë gjermane.

Me këtë çështje parimore ishte marrë një vit më parë Presidenti Federal i atëhershëm, Richard von Weizsäcker. Në fjalimin e tij në përvjetorin e 40-të të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Weizsäckeri e quajti 8 majin një ditë çlirimi: “Ai na çliroi të gjithë ne nga sistemi çnjerëzor i sundimit të dhunshëm nacionalsocialist”. Konsensusi për këtë sot është i gjerë, në atë kohë deklarata shkaktoi te disa kritika të ashpra. Si mundet një President Federal – aq më tepër një konservator,  – ta vlerësojë ditën e kapitullimit poshtërues si çlirim? Kur, me kapitullimin, u hap edhe rruga për ndarjen e Gjermanisë?

Provë vendimtare për patriotizmin

Trajtimi i së kaluarës konsiderohej në atë kohë si provë vendimtare për trajtimin e vendit tënd: ai që e donte Gjermaninë bënte mirë të mos e gjykonte shumë ashpër historinë e vet. Por ai që e bënte, e kishte të vështirë me ndjenjat patriotike, ato lejoheshin shumë-shumë kur luante ekipi kombëtar i futbollit. Këtë qëndrim e shprehu në mënyrë të saktë paraardhësi i Weizsäckerit në post, Gustav Heinemann me fjalët: “Oh, unë nuk dua shtete. Unë dua gruan time!”

Ishte Jürgen Habermasi, ai që arriti ta shpërndajë këtë ambivalencë me konceptin e tij të patriotizmit kushtetues: dashuria nuk i përket më një atdheu, që ekziston mbi baza të etnisë dhe të territorit (ose në terminologjinë naziste: mbi gjakun dhe tokën) por u takon vlerave të përbashkëta politike të tilla si demokracia dhe liria e shprehjes. Një komb si Gjermania, sipas kësaj, nuk është një qëllim politik në vetvete, por thjesht përbën kornizën referuese të qytetareve dhe qytetarëve të saj. Kjo përfshin pranimin dhe kthimin e shtetësisë.

Një patriotizëm i tillë kushtetues sidoqoftë është i mundur vetëm atje, ku një diskurs i lirë kontribuon në formimin e vullnetit politik. Atje ku ka një debat dhe kulturë debatimi. Dhe ku respektohen bazat themelore të kësaj republike. Këto janë gjëra të cilat Habermasi i ka kujtuar gjithashtu në mënyrë të përsëritur. Dhe të cilat pranohen gjerësisht në biznesin politik.

Flluska e filtrimit dhe të menduarit identitar si kërcënime

Sidoqoftë, të dyja konceptet, diskursi dhe patriotizmi kushtetues aktualisht janë të kërcënuara – dhe nga dyja anët: Kur gjithnjë e më shumë njerëz informohen vetëm përmes rrjeteve sociale, duke mbetur brenda flluskës së tyre të filtrimit, atëherë debati në shoqëri thuajse është i pamundur. Ai që e percepton botën vetëm përmes kordonit të lajmeve në Facebook-un e tij, ai nuk e ka pamjen e së gjithës.  Dhe aktualisht po shohim se si fragmentimi i perspektivave shkon krah për krah me rritjen e urrejtjes dhe të zemërimit.

Kërcënimi i dytë vjen nga e djathta politike: atje, idetë identitare po fitojnë gjithnjë e më shumë në rëndësi. Ide të tilla bazohen në një uniformitet me bazë biologjike të një populli, pra në ide, të cilat ne – edhe në sajë të veprës së Habermasit – i konsideronim prej kohësh të kapërcyera.

Prandaj, në ditëlindjen e 90-të të Jürgen Habermasit duhet të ndërgjegjësohemi për dy gjëra: Së pari: Filozofi dhe sociologu Habermas e ka formësuar në mënyrë të konsiderueshme historinë e Gjermanisë Federale republikane dhe kuptimin tonë për një republikë federale. Dhe së dyti: rendi bazë liberal nuk është i vetëkuptueshëm, por duhet mbrojtur çdo ditë.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>