Në garën për automjete pa shofer, kamionët komercialë mund të kenë epërsi përballë automjeteve të vogla. Ekspertët thonë se arsyeja është se kamionët bëjnë shpesh të njëjtën rrugë, por veprimtarë të sigurisë në autostrada shprehin shqetësim për këtë prirje.
Ky kamion nuk ka drejtues në sediljen e shoferit. Mjeti përshkoi kohët e fundit distancën prej 128 kilometrash nga qyteti Tucson deri në Phoenix të shtetit Arizona.
Kamionët pa shoferë ndoshta do të jenë në autostrada shumë më herët se njerëzit që udhëtojnë me makina të vogla, thonë ekspertët.
Cheng Lu është shef ekzekutiv i kompanisë TuSimple.
“Sepse kamioni bën shpesh të njëjtën rrugë. Udhëtime të mërzitshme për shoferët në autostradat amerikane”, tha ai për Zërin e Amerikës.
Transporti autonom i kamionëve po merr vrull ndërsa shtohen nevojat për të transportuar mallra në të gjithë vendin dhe bie numri i shoferëve të kamionëve, thonë kompanitë.
Por jo të gjithë janë të kënaqur kur shohin kamionë pa shoferë në korsinë pranë tyre.
Cathy Chase është me organizatën “Veprimtarët për Sigurinë e Autostradave dhe Automjeteve.
“Ne jemi në autostrada me këto automjete dhe publiku tani është pjesëmarrës pa dashje në një eksperiment shkencor të teknologjisë së lartë”, i tha ajo Zërit të Amerikës.
Por ka shqetësime se kamionët pa shoferë do të eliminojnë vendet e punës në sektorin e transportit komercial me mbi 3 milionë shoferë.
Steve Viscelli studion industrinë e kamionëve në Universitetin e Pensilvanisë.
“Shoferët janë të shqetësuar për të ardhmen e vendeve të tyre të punës. Ende nuk janë të bindur rreth mundësisë për të përmëruar punën”, thotë ai për Zërin e Amerikës.
Shumica e sensorëve të jashtëm në sistemin autonom të drejtimit të këtij kamioni janë ndërtuar në pasqyrat anësore, duke bërë të mundur që kamioni të përshtatet me automjetet e tjera në rrugë.
“Sistemi ynë nuk përgjumet kurrë, nuk lodhet, nuk e humb kurrë vëmendjen. Bën përllogaritje monitoruese disa herë në sekondë, duke bërë të mundur reagimin në një mënyrë të sigurt ndaj situatave që lindin në rrugë”, thotë Don Burnette me firmën “Kodiak Robotic”.
Ndërsa firmat e kamionëve që ngasin vetë po përpiqen të bëhen pjesë e komunikacionit, këto mjete tërësisht të pavarura së pari duhet të marrin miratimin nga organet përkatëse.
voa