Katari bëri të ditur se ambasadori i tij do të kthehet në Teheran – më shumë se 20 muaj pas tërheqjes së tij në shenjë proteste ndaj sulmit të protestuesve mbi misionet e Arabisë Saudite.
Vendimi sfidon kërkesat e Arabisë Saudite dhe të disa aleatëve arabë që Doha të shkëpusë lidhjet e mbetura me Teheranin.
Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi të enjten se ambasadori i saj “do të kthehet për të rinisur detyrat e tij diplomatike”, por nuk specifikoi datën e rikthimit apo emrin e ambasadorit.
Në deklaratë thuhet se Doha bën përpjekje “të forcojë marrëdhëniet dypalëshe me Republikën Islamike të Iranit në të gjitha fushat” dhe se ministri i Jashtëm i Katarit, SheikMuhammad bin Abdulrahman al-Thani, ka biseduar për këtë çështje me homologun iranian, Mohammad Javad Zarif.
Katari ka tërhequr ambasadorin e tij nga Irani në janar të vitit të kaluar, pasi Arabia Saudite ka ndërprerë lidhjet me Republikën Islamike, duke e akuzuar Teheranin për dështim në mbrojtjen e ambasadës së saj në kryeqytet dhe të konsullatës në qytetin Mashhad nga protestuesit që i kanë sulmuar ato.
Protestat kanë pasuar ekzekutimin në Arabinë Saudite të SheikNimr al-Nimrit, një klerik i shquar shiit, i cili ka udhëhequr protesta antiqeveritare.
Riadi ka thënë se ekzekutimi i tij ka qenë pjesë e “luftës kundër terrorizmit”.
Vendimi i Katarit për të rivendosur marrëdhëniet me Iranin vjen në kohën e një krize diplomatike midis Katarit dhe vendeve të tjera arabe, përfshirë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin dhe Bahrejnin.
Katër vendet i kanë ndërprerë lidhjet diplomatike dhe të transportit me Katarin nën dyshimet se ky i fundit financon ekstremistët islamikë – akuza që hidhen poshtë nga Doha – dhe për shkak të lidhjeve të tij me Teheranin.
Irani më pas ka dalë në mbështetje të Katarit, duke i dërguar ushqime dhe duke i lejuar transportuesit kombëtar të Katarit të shfrytëzojë hapësirën e tij ajrore.
Gjithashtu të enjten, ministri i Jashtëm i Iranit, Zarif, u citua të ketë thënë se Irani dhe Arabia Saudite do të shkëmbejnë vizita diplomatike së shpejti.
Ai i tha agjencisë së lajmeve ISNA se vizita mund të realizohet pas përfundimit të pelegrinazhit të Haxhit në Arabinë Saudite, në javën e parë të shtatorit.
“Vizat janë lëshuar për të dyja palët”, tha Zarif.
Në bazë të një marrëveshjeje midis Teheranit dhe Riadit, të arritur muaj më parë, shtetasit iranianë do të lejohen të marrin pjesë në Haxhin e sivjetmë.
Iranianët kanë munguar në pelegrinazhin e vitit të kaluar, pasi në vitin 2015, në rrëmujën e turmave kanë vdekur qindra besimtarë iranianë.
Në një tjetër zhvillim, Ministria e Jashtme e Rusisë tha se ministriSergei Lavrov do të vizitojë Katarin, Kuvajtin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe javën e ardhshme, për bisedime që do të përfshijnë edhe krizën në Gjirin Persik.
“Rusia vazhdimisht u ka bërë thirrje shteteve të përfshira të heqin dorë nga retorika e konfrontimit, të diskutojnë dhe të arrijnë zgjidhje kompromisi”, tha zëdhënësja e Minsitrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova. (rel)