Vizita e presidentit Erdogan në Teheran është pjesë e dredhimeve të Turqisë ndërmjet arabëve dhe iranianëve. Një vizion bindës në politikën rajonale nuk duket gjëkundi, komenton Thomas Seibert.
Fillimisht presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kritikon epshet për pushtet të fqinjit lindor Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme, pastaj shkon në Teheran për të zhvilluar bisedime harmonike me presidentin Hassan Rohani. Episodi është tipik për Erdoganin: bubullimë retorike, e ndjekur nga pragmatizmi.
Si kryetar qeverie me eksperiencë të gjatë presidenti i sotëm turk ka pjesë në izolimin e Turqisë në rajon. Kjo mbetje vetëm ishte pasojë e padëshiruar e një projekti ambicioz. Qeveria islamike-konservatore e Erdoganit e kuptoi pranverën arabe si një mundësi për të zgjeruar ndikimin e Turqisë në gjithë atë pjesë të botës dhe për të krijuar aleanca të sigurta me vëllezërit muslimanë sunitë.
Plani i Erdoganit dështoi
Plani dështoi në themel. Në Egjipt partneri i Erdoganit Mohammed Mursi u rrëzua nga ushtarakët, marëdhëniet ndërmjet dy vendeve më të rëndësishme të rajonit janë edhe sot të helmuara. Meqenëse Vëllazëria Muylimane është e dyshimtë si potencial rreziku edhe për pushtetin e sundimtarëve në vende të tjera arabe, lindën tensione ndërmjet Turqisë, Arabisë Saudite dhe aktorëve të tjerë.
Në të njëjtën kohë u përkeqësuan në mënyrë dramatike marrëdhëniet e Turqisë me Izraelin, Irakun dhe Sirinë. Në Ankara kritikët thonin, se në vend që të arrihej gjendja e dëshiruar, “zero probleme” me fqinjët, një sllogan i dikurshëm i ish-ministrit të Jashtëm dhe kryeministrit të tanishëm Ahmet Davutoglu, Turqia tani ka mbetur me “zero miq”. Me krenari një këshilltar i Erdoganit foli për një “izolim të nderuar”.
Kërkimi i një rrugëdaljeje
Në raportin me Iranin nuk ndodhi kriza e madhe. Por rivaliteti tradicional midis vendit sunit të NATO-s, Turqisë, dhe armikut shiit të Shteteve të Bashkuara, Iranit, çonte në grindje të vazhdueshme.
Konflikti i Jemenit i dha së fundi mundësinë Erdoganit për të rifituar besimin e humbur në kampin sunit. Ankaraja sinjalizoi mbështetjen e saj për aksionin ushtarak të Arabisë Saudite në Jemen, ndërsa Erdogani veproi kundër gjoja pretendimeve hegjemoniste rajonale të Iranit. Në shtetet e Gjirit ishin të kënaqur, por në Teheran kritika e Erdoganit shkaktoi një zemërim aq të madh, saqë u diskutua për anullimin e udhëtimit të tij në kryeqytetin iranian.
Mot i mirë në Teheran
Erdogani nuk hoqi dorë nga planet e tij të udhëtimit dhe në Teheran u përpoq ta paraqiste veten si ndërmjetësues në konfliktin në Jemen. Qëllimi i tij nuk janë shiitët dhe sunitët, por të gjithë myslimanët, tha ai. Gjithashtu Turqia do të paraqitet si partnere e Teheranit, nëse lehtësimi i sanksioneve pas marrëveshjes së fundit bërthamore do të mundësojë rritjen e eksporteve turke në Iran. Kjo nga ana tjetër mund t’i sjellë Turqisë kritika të reja nga arabët sunitë, të cilët i frikësohen forcimit të iranianëve.
Herët apo vonë Turqia me dredhat e saj ndërmjet arabëve dhe iranianëve mund t’i krijojë vetes vështirësi. Të sjellësh motin e mirë në Teheran, nuk do të mjaftojë përgjithmonë. Një vizion bindës i politikës rajonale të Turqisë nuk duket gjëkundi. (dw)