Kongresmeni amerikan Loui Gohmert i shtetit të Teksasit thotë se ka rezultuar pozitiv me virusin COVID-19. Republikani Gohmert ishte parë kohët e fundit pa maskë në ndërtesën e Kongresit. Gjatë seancës dëgjimore të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve me Prokurorin e Përgjithshëm William Barr, zoti Gohmert u vu re që nuk e përdorte maskën mbrojtëse.
Pasi doli lajmi për zotin Gohmert, zoti Barr bëri testin për koronavirusin por Departamenti i Drejtësisë nuk ka njoftuar për rezultatin.
Përmes një videoje, zoti Gohmert tha se kishte bërë një test të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej me Presidentin Donald Trump drejt Teksasit dhe se kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. Kongresmeni Gohmert i shtetit të Teksasit, i cili tha se ishte asimptomatik, nuk udhëtoi me presidentin.
Zoti Gohmert tha gjatë një interviste në CNN muajin e kaluar se ndonjëherë ai nuk e mbante maskën sepse po testohej rregullisht. Por në video ai u shpreh, “Kam përdorur maskën më shumë gjatë javës së fundit sesa gjatë katër muajve të fundit. Tani që me sa duket e kam, do të jem shumë më i kujdesshëm për t’u siguruar që nuk infektoj ndonjë tjetër”, tha ai.
Kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, demokrati Jerrold Nadler, e kritikoi ligjvënësin 66 vjeçar dhe republikanët e tjerë për mos përdorimin e maskave. Megjithatë, zoti Nadler postoi një mesazh në Facebook duke i uruar kolegut Gohmert shërim të plotë dhe të shpejtë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, demokratja Nancy Pelosi u citua të ketë thënë për rrjetin televiziv MSNBC se, “Më vjen keq për të”, pasi kishte mësuar se ligjvënësi Gohmert kishte rezultuar pozitiv me koronavirus.
Duke reaguar ndaj njoftimeve se zoti Gohmert kishte testuar pozitiv për koronavirus, udhëheqësi i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve Steney Hoyer e kritikoi atë dhe shumë republikanë të tjerë se kishin vepruar në mënyrë të papërgjegjshme dhe mos përdorjen vazhdimisht të maskave.
“Shumë republikanë kanë vazhduar të veprojnë jashtëzakonisht në mënyrë të papërgjegjshme, përfshi Louis Gohmert. Loui Gohmert duhet të vetëkarantinohet tani. Ai e bëri testin. Para seancës dëgjimore të martën ai ishte në dhomën e komisionit. Ai e vuri maskën kur u ul në karrigen e tij. Ai hyri në dhomë pa maskë”, ligjvënësi Hoyer u tha gazetarëve.
voa