Ekipi japonez Hakuto zbuloi për publikun sondën e tij robotike hënore, e cila do të marrë pjesë në konkurrimin e vitit që vjen, “Lunar X PRIZE”, të sponsorizuar nga “Google”.
Prototipi është 58 centimetër i gjatë, 36 i lartë dhe peshon vetëm 4 kilogramë. Arritja e një peshe të tillë i detyrohet përdorimit të materialeve me fibra karboni, që zënë zakonisht vend në prodhimin e avionëve. Secila prej rrotave është e pajisur me motorë, të cilët lejojnë manovrimin më të lehtë të saj në sipërfaqen e hënës.
“Është vërtetë e lehte dhe është goxha fleksibil. Nga ky material janë bërë edhe rrotat”.
Konkursin e tij “Lunar XPRIZE”, “Google” e prezantoi në 2007-n për të inkurajuar sipërmarrësit e rinj hapësinorë të krijojnë një epokë të re qasjeje të hënës.
Gara mbahet vitin e ardhshëm dhe përfshin ndër të tjera uljen e një roveri-i të financuar privatisht në satelitin e vetëm natyror të Tokës, i cili duhet paskësaj të lëvizë për 500 metra dhe të transmetojë pamje e të sjellë foto të cilësisë së lartë. Ekipi që e përfundon me sukses këtë mision do të marrë një çmim prej 20 milionë dollarësh.
/ Top Channel