Teknologjia e makinave elektrike, po kalon nga kompanitë e mëdha tek kompanitë më të vogla. Kjo lëvizje ofron shpresa për makina më të përballueshme financiarisht për konsumatorët por edhe miqësore me mjedisin. Prototipi më i ri i ndërtuar në Uells mund të dalë në treg pas pothuajse dy vjetësh.
Makinat që operojnë me bateri të rikarikueshme tashmë janë të pranishme në treg, por me një çmim tepër të lartë. Ndërsa kompanitë e mëdha të makinave po mundohen të tërheqin konsumatorët me vetura elektrike, kompani të vogla si Riversimple me qendër në Pois të Uellsit, po përpiqen të ndërtojnë jo vetëm makina miqësore ndaj mjedisin, por makina të cilat do ta ndryshojnë edhe mënyrën e të menduarit tek konsumatorët e makinave.
Riversimple ka në plan që makinën dy vendëshe Rasa, ta nxjerr në treg deri në vitin 2018. Lënda djegëse është hidrogjeni i kompresuar që prodhon elektricitet. I vetmi nënprodukt i këtij reaksioni është avulli i ujit.
Këto makina me hidrogjen janë miqësore ndaj mjedisit dhe kanë rendiment të lartë.
Dr. Cristophe Mauz është inxhinier me Kolegjin Imperial në Londër:
“Makinat me hidrogjen përshkojnë distanca më të largëta se ato me bateri. Domethënë, makinat me hidrogjen konkurojnë me makinat me benzinë apo naftë në distanca deri 600 apo 700 kilometra në një serbarator.”
Me një kilogram e gjysëm hidrogjen, Rasa mund të udhëtojë deri në 480 kilometra me një shpejtësi pak më pak se 100 kilometra në orë. Por, makinat me hidrogjen përballen me një pengesë të madhe.
Darren Moss është redaktor me revistën Autocar.
“Problemi qendron tek infrastruktura. Qeveria ka premtuar ndërtimin e 12 stacioneve furnizimi. Domethënë një numër mikroskopik po të krahasosh me karburantet në mbarë Britaninë e Madhe”.
Ndërsa rritet numri i stacioneve të karikimit për makinat me bateri, prodhuesit e makinave me hidrogjen shpresojnë se e njëjta gjë do të ndodhë me stacionet e furnizimit me hidrogjen të kompresuar. (voa)