Mattis: Rusia po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë

MattisSekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis akuzoi sot Rusinë se “po kërkon të rishkruajë me forcë kufijtë ndërkombëtarë” dhe përsëriti angazhimin e SHBA për të ndihmuar në rritjen e aftësive të forcave të armatosura ukrainase.

Shefi i Pentagoni i bëri komentet në Kiev, pas takimit me presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe udhëheqës të tjerë të vendit.

“Përsa i përket furnizimit të Ukrainës me armë vdekjeprurëse, ne po e shqyrtojmë këtë çështje në mënyrë aktive. Armët mbrojtëse nuk janë provokuese nëse nuk je agresor dhe sigurisht Ukraina nuk është agresore. Duke parë situatën aktuale do të mund të informoj Sekretarin e Shtetit dhe Presidentin në terma shumë konkrete, rreth asaj që unë rekomandoj për të ardhmen”, – tha shefi i Pentagonit, –

Nuk duhet të ketë asnjë dyshim se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Ukrainën në të gjitha aspektet, tha Sekretari i Mbrojtjes:

“Ne ju mbështesim juve përballë kërcënimeve, mbështesim sovranitetin dhe tërësinë tuaj tokësore si dhe rendin ndërkombëtar në tërësi,” tha zoti Mattis.

Shefi i Pentagonit përsëriti se Shtetet e Bashkuara janë kundër aneksimit që Rusia i bëri Krimesë në vitin 2014.

“Ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta pranojmë aneksimin e Krimesë nga Rusia dhe megjithë mohimet e Rusisë, ne e dimë se ata po përpiqen të rishkruajnë kufijtë ndërkombëtarë me forcë, duke minuar vendet sovrane dhe të lira të Evropës,”tha zoti Mattis.

Ai tha se sanksionet amerikane ndaj Rusisë do të mbeten në fuqi derisa Moska të ndryshojë sjelljen e saj.

Rusia, – tha zoti Mattis, – nuk ka përmbushur angazhimet e saj në kuadër të marrëveshjes së Minskut për të zgjidhur konfliktin në Ukrainën lindore si dhe marrëveshje të tjera të firmosuara prej saj.

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë do të vazhdojnë të bëjnë presion ndaj Rusisë për të respektuar angazhimet e Minskut dhe sanksionet tona do të mbeten në fuqi derisa Moska të heqë dorë nga veprimet që i shkaktuan ato“, tha zoti Mattis.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për të gjetur një zgjidhje diplomatike për gjendjen në Ukrainë.

Zoti Mattis është kreu i parë i Pentagonit që viziton Ukrainën në një dekadë. Ai mori pjesë në një paradë me rastin e ditës së pavarësisë që shënon shkëputjen e Ukrainës nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>