Autoritetet kineze thonë se 91 njerëz llogariten të zhdukur pasi që një rrëshqitje masive e dheut varrosi një park industrial të dielën në qytetin jugor Shenzhen në Guangdong.
Dëshmitarët thanë se “sasi të mëdha” balte përfshinë parkun industrial, duke shkatërruar ose dëmtuar 33 godina, përfshirë 14 fabrika, dy ndërtesa zyrash dhe tri konvikte. Më shumë se 1 mijë e 500 punëtorë të emergjencës janë përfshirë në përpjekjet e kërkimi – shpëtimit, duke punuar në një zonë prej 50 mijë metrash katrorë.
Në një deklaratë të ministrisë së burimeve thuhet se një mal prej 100 metrash të mbeturinave dhe mbetjeve ndërtimore që ishin varrosur në një gurthyes, rrëshqitën pas shirave të rrëmbyeshëm në zonë. Rrëshqitja shkaktoi edhe një shpërthim në një tubacion të gazit natyror aty pranë, në pronësi të PetroChina, prodhuesi kryesor i naftës dhe gazit të vendit.
Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua, tha se në mesin e të zhdukurve janë 59 burra dhe 32 gra. Mbi 900 veta janë evakuuar nga zona para rrëshqitjes së dheut.
Kina është goditur nga një numër aksidentesh industriale, për shkak të standardeve të dobëta të sigurisë, mbikëqyrjes së dobët dhe korrupsionit. Afro 160 veta humbën jetën në muajin gusht pas disa shpërthimeve në një depo kimike në qytetin Tianjin. Autoritetet arrestuan 12 punonjës të kompanisë dhe 11 zyrtarë qeveritarë në lidhje me ato shpërthime. (voa)