Merkel: Të tregojmë me vepra se mund të përmirësohemi!

samiti-bratislavaSamiti i Bratislavës – ndër samitet më të vështirë të BE-së, por një samit me pritshmëritë të larta. Bashkimi Europian është në kërkim të unitetit pas largimit të Britanisë së Madhe e tendencave konfrontuese Brenda tij.

Kancelarja Merkel pret në muajt e ardhshëm suksese nga BE-ja e goditur nga krizat dhe një sinjal uniteti. “Jemi në situatë kritike”, tha Merkel të premten (16.09) në Bratislavë, në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së. “Bëhet fjalë që të tregojmë me vepra, se mund të përmirësohemi”, tha Merkel. Sipas saj, mesazhi i Bratislavës duhet të jetë “Ne duam të bashkëpunojmë, dhe duam t’i zgjidhim problemet që ekzistojnë në Europë.” Krerët e BE-së janë mbledhur për herë të parë në një samit pa Britaninë e Madhe për të arritur një ristartim të unionit dhe rifitimin e besimit të qytetarëve europianë.

Në samit diskutohet “Axhenda e Bratislavës”, ku prioritet janë siguria dhe kapacitetet e mbrojtjes. Në këtë fushë pritet të konkretizohet krijimi i një unioni të përbashkët me një shtab të përbashkët mbrojtjeje. Ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni kishte mbështetur më parë një strategji të përbashkët në fushën e mbrojtjes, një lloj “Shengeni të mbrojtjes”. Prioritet tjetër është edhe e ardhmja sociale dhe ekonomike e Europës si edhe shkëmbimi kulturor në BE.”

Kriza ekzistenciale e Europës

“Europa ndodhet në një pikë shumë vendimtare”, tha Merkel në konferencë shtypi në Paris të enjten, pas takimit me presidentin francez, Hollande. “Besoj se kemi nevojë për një axhendë të qartë”. Edhe presidenti Hollande u shpreh se me largimin e Britanisë së Madhe kemi të bëjmë me një krizë fundamentale të Europës. “Ne i njohim sfidat, e dimë se çfarë rrezikohet.”

Dy ditë më parë (14.09) ishte kreu i Komisionit Euriopian Jean-Claude Juncker që dha sinjalin se ku do të shkojë Europa. Nuk do të ketë thellim të mëtejshëm të unionit. Europa që ndodhet në një krizë ekzistenciale duhet të ofrojë rezultate konkrete për qytetarët e saj: Juncker kërkon të dyfishojë fondin e investimeve që të shihen rezultate konkrete për qytetarët. “Nuk mund të pranoj që kjo është gjenerata e parë që do të jetë më e varfër se prindërit e vet”, tha Juncker.

Siguri për qytetarët europianë

Qytetarëve europianë që ndjehen të pasigurtë pas valës së emigracionit – BE synon t’u tregojë që di t’i mbrojë dhe kontrollojë kufijtë e saj. Që në tetor rreth 200 policë kufitarë të Frontex do të kontrollojnë kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë. Po ashtu do të ngrihet edhe një sistem i ri informacioni për udhëtimet që do të regjistrojë e verifikojë nëse dikush ka të drejtë të hyjë në BE. Nga ana tjetër do të forcohet Europoli.

Para samitit politikani i CDU-së, Elmar Brok është shprehur se Bashkimi Europian duhet të bëhet më efektiv. Kreu i Komisionit të Jashtëm të BE-së në Parlamentin Europian kërkoi pas largimit të britanikëve, përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe atë të jashtme. Brok paralajmëroi shtetet anëtare nga ujditë e veçuara me shteteve duke anashkaluar institucionet e BE-së. Edhe europarlamentari gjerman, konservatori Martin Weber u shpreh se duhet më shumë kompromis brenda Europës. “Njerëzit presin që t’i japim fund grindjes.” Më shumë unitet dhe efektivitet pret kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz nga samiti. Para samitit ai tha për “Spiegel” se “pres nga 27 vendet anëtare një sinjal, se ne qëndrojmë bashkë, megjithë problemet dhe temat kontroverse.”

Bratislava është sot “qyteti më i ruajtur i Europës”, ka thënë zëvendëspresidenti i policisë sllovake, Jaroslav Malik për dpa-në. Kryeqyteti sllovak ka një arsye të fortë për t ‘u kthyer në fortesë. Sllovakia, e cila mban presidencën e radhës së BE-së është mikpritësja e samitit të radhës së Bashkimit Europian. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>