Mikroçipe të prodhuara në Gjermani

Intel Magdeburg FabrikaÇipat elektronikë vijnë kryesisht nga Azia e Amerika e Veriut. Por Gjermania dëshiron të avancojë – për shembull duke ndërtuar me investim amerikan një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit.

 

Ai duket dhe shkëlqen si kristal i zi, por në të vërtetë është karbit silikoni sintetik. Tashmë është përdorur për shumë dekada në letrat zumperile. Për shkak të aftësive të veçanta si gjysmëpërçues, ky material ka tërhequr vitet e fundit vëmendjen e sektorit të automobilëve. “Çipat e karbitit të silikonit konvertojnë rrymën direkte në rrymë alternative në mënyrë shumë efikase dhe kështu mund të rrisin largvajtjen e automjeteve elektrike,” shpjegon Stefan Bratzel nga Qendra e Menaxhimit të Automobilëve në Bergisch Gladbach.

Në vendin e termocentralit të qymyrit në Ensdorf, landi gjerman i Zarës (Saarland), prodhuesi amerikan Wolfspeed do të ndërtojë një nga fabrikat më të mëdha të çipave të karbitit të silikonit në botë. Sipas të dhënave të saj, kompania e listuar punëson rreth 3500 njerëz në 17 vende.

 

Investim në ndryshimin strukturor

Për landin federal gjerman të Zarës, i cili është shumë i varur nga industria e automobilëve dhe çelikut, një fabrikë vetjake gjysmëpërçuese do të ishte “një moment historik në rrugën drejt ndryshimeve të suksesshme strukturore”, thotë Carsten Meier, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në landin e Zarës.

Një fabrikë e tillë do të kishte rëndësi shumë përtej kufijve të landit të Zarës, thotë Ondrej Burkacky, një ekspert për gjysmëpërçuesit në firmën konsulente McKinsey. Nga pikëpamja evropiane, ky hap do të ishte shumë i rëndësishëm për t’u bërë më pak i varur nga qendrat e prodhimit në Azi dhe Amerikën e Veriut. Gjatë pandemisë së Koronas, në Evropë shumë linja prodhimi të prodhuesve të makinave u ndalën për javë të tëra për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve.

 

Tregu në rritje i karbitit të silikonit

Tregu global për çipat e karbitit të silikonit, të tilla si ato të prodhuara nga Wolfspeed, aktualisht është ende mjaft i vogël. Vitin e kaluar, shitjet ishin rreth 1 miliard dollarë, sipas Burkacky-t. “Ne presim një rritje prej rreth 23 për qind në vitet e ardhshme, në mënyrë që të arrijmë rreth 2.5 miliardë dollarë në vitin 2026.”

Ekspertët presin që kërkesa të vazhdojë të rritet në përputhje me rritjen e tregut të makinave elektrike. “Wolfspeed ende nuk është një kompani shumë e madhe e çipave,” thotë Bratzel. “Por në këtë treg në rritje, është një lojtar shumë i rëndësishëm.”

Fakti që Gjermania është e pranishme kaq herët në lindjen e këtij tregu me fabrikën e saj mund të jetë “një gur themeli shtesë për zinxhirin e vlerës për industrinë shumë të rëndësishme të automobilave në Gjermani”, sipas Burkacky.

 

BE dëshiron të joshë me subvencione prodhuesit e çipave

Nuk ka ende të dhëna të sakta për shumën e investimit të Wolfspeed-it. Në qarqet industriale, megjithatë, flasim për një shumë prej disa miliardash. Sipas Burkackyt, prodhuesit e çipave zakonisht presin fonde publike në masën 30 deri në 40 për qind të kostove të investimit. Bratzel-i beson se ka një shans shumë të mirë që landi i Zarës të marrë subvencione nga BE.

BE dëshiron të miratojë “Ligjin për çipat” deri në verë. Falë miliarda subvencioneve, pjesa e Evropës në prodhimin global të çipave pritet të rritet nga 10 në 20 përqind deri në vitin 2030. Kështu, njohuritë dhe vendet e punës do të vendosen në Evropë në industrinë premtuese të çipave elektronikë.

 

Deri në 1000 vende të reja pune

Fjala është për krijimin e 1000 vendeve të reja të punës me ardhjen e Wolfspeed-it. Prodhimi i gjysmëpërçuesve bëhet në një dhomë të pastër dhe është kryesisht i automatizuar. Prandaj ata që kërkohen janë mbi të gjitha inxhinierë, por edhe shumë teknikë të ngarkuar me mirëmbajtjen e makinerive.

Për rreth katër vjet, çipat e parë të karbitit të silikonit për automjetet elektrike mund të prodhohen në landin e Zarës, aty ku ndodhej një termocentral me qymyr. Do të ishte një simbol dhe një shembull pozitiv i ndryshimit strukturor.

(P.Sauer/SR)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>