Misioni i fundit i sondës “Cassini”

Sonda CassiniPas një misioni 20-vjeçar, sonda e hapësirës Cassini po përgatitet të bëjë një lëvizje të fundit drejt planetit Saturn, gjatë të cilës anija do të shkatërrohet. Shkencëtarët dhe inxhinierët e laboratorit të NASA-s vendosën t’i jepnin fund në këtë mënyrë historisë së kësaj sonde, pasi mësuan gjatë misionit se në disa prej hënave të Saturnit ka elementë për ekzistencën e jetës. Korespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Lee, vizitoi laboratorin e NASA-s pranë Los Anxhelosit.

Misioni i sondës Cassini drejt Saturnit dhe studimi i unazave dhe hënave të tij solli të papritura të shumta.

“Në fazën e dizenjimit nuk e kishim idenë se ekzistojnë botë me oqeane në sistemin tonë diellor”, thotë inxhinierja e sistemeve Morgan Cable.

Këto botë me oqeane mund të nënkuptojnë se ka jetë. Një zbulim i papritur erdhi nga caku jugor i Enceladus, një prej hënave që rrotullohet përgjatë unazave të Saturnit.

“Ka një oqean të lëngshëm nëntokë që herë pas here e çan sipërfaqen dhe shpërthen mbi të”, thotë inxhinierja e operacioneve të hapësirës, Molly Bitner.

Paisjet e Cassinit mundën të regjistrojnë gazin që dilte nga të çarat.

“Dimë se ka kripëra. Kjo ka rëndësi për zhvillimin e jetës, së cilës i duhen minerale dhe kripëra për të ekzistuar. Kemi prova të forta se thellë në oqean ekzistojnë rryma hidrotermale. Aty ku ka rryma të forta hidrotermale në Tokë, aty gjenden edhe komunitete të populluara me organizma”, thotë inxhinierja Cable.

Anija Cassini mundi të mbledhë të dhëna nga Titani, hëna më e madhe e Saturnit, e cila ka liqene dhe dete me metan të lëngshëm dhe etan, në vend të ujit. Ka edhe prova për një oqean të lëngshëm nën sipërfaqe që ndoshta përmban amoniak dhe ujë. Shkencëtarët dhe inxhinierët thonë se ky mjedis mund të përmbajë ende jetë.

“Ndërsa kërkojmë për shenja jete në vende ka më të çuditshmet, gjetëm shenja të jetës këtu, brenda sistemit tonë diellor”, thotë zonja Cable.

Shkencëtarët po hulumtojnë se si do t’i jepet fund anijes Cassini, pasi nuk duan që organizma tokësorë të anijes të ndotin një hënë që mund të ketë format e veta të jetës.

“Duam ta zbulojmë jetën në vende të tjera, si në Enceladus, por të mos kuptojmë më vonë se e kemi dërguar ne atje”, thotë zonja Cable.

Shkencëtarët dhe inxhinierët kanë filluar tashmë të parafytyrojnë misione të reja në të ardhmen drejt Saturnit dhe hënave të tij, për të shqyrtuar më në hollësi mundësinë e ekzistencës së jetës.

“Mendoj se me nivelin e paisjeve të sotshme që mund t’i dërgojmë me një sondë, mund ta zbulojmë ekzistencën e jetës”, thotë zonja Cable.

Duket se fundi i anijes Cassini do të vijë nëpërmjet një zhytjeje drejt atmosferës së Saturnit, duke vazhduar ndërkohë të transmetojë të dhëna të rëndësishme drejt Tokës, deri në momentin e fundit. Ky informacion do të studiohet nga shkencëtarët për shumë kohë pasi anija Cassini të ketë pushuar së ekzistuari. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>