Virusi Zika, që Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka deklaruar emergjencë ndërkombëtare, bartet nga mushkonja Aedes aegypti. Ndërsa fokusi kohët e fundit ka qenë tek pasojat e pranisë së kësaj mushkonje në Amerikën Latine, një biolog e ka zbuluar atë në Uashington, jo shumë larg ndërtesës së Kapitolit.
Andrew Lima është biolog i specializuar për mushkonjat.
Në vitin 2011, një mik i kërkoi ndihmë për t’i larguar mushkonjat që e pickonin vazhdimisht në apartamentin e tij në një lagje të Uashingtonit.
Ajo që zbuloi e tronditi thellë:
“Kur shkova në shtëpinë e tij, mushkonjën e parë që pashë e shtypa dhe e studjova me kujdes: ishte Aedes aegypti, që njihet ndryshe si mushkonja e etheve të verdha, e cila transmeton virusin Dengue, dhe virusin Zika,”- thotë ai.
Ky nuk ishte një rast i izoluar. Lima e viziton këtë lagje prej 5 vjetësh dhe vazhdon të gjejë mushkonja të tjera Aedes aegypti:
“Vura re se në atë lagje nuk po vinin mushkonja të gjeneve të tjera, që do të thotë se këto mushkonja kishin qenë atje gjatë gjithë kohës, edhe në muajt e dimrit.”
Andrew Lima thotë se mushkonjat kishin gjetur një mënyrë për t’i rezistuar motit të ftohtë, ndoshta duke qëndruar nën ura, nëpër pemë, apo në struktura nën tokë, duke u shtuar në pellgjet aty pranë.
Por edhe pse mushkonja Aedes aegypti gjendet në kryeqytetin amerikan, Lima thotë se nuk duhet patur shumë shqetësim.
“Kjo lidhet me faktin që ne qëndrojmë shumë më pak jashtë, kemi ajër të kondicionuar dhe rrjeta nëpër dritare dhe ballkone, ndryshme nga vendet tropikale, ku njerëzit rrijnë dhe punojnë më shumë jashtë.”- thotë biologu.
Por ndërsa mushkonja mund të mos përbëjë rrezik, Andrew Lima mendon se ajo do të vazhdojë të qëndrojë në këtë zonë. Ai thotë se krahas me aftësinë për të gjetur strehim, ngrohja e temperaturave globale mund të jetë një faktor për zbulimin e mushkonjës Aedes aegypti që transmeton Zikën deri në këtë pjesë veriore të Kontinentit Amerikan. (voa)