Musk takon virtualisht Weidel në platformën X

Musk AfDElon Musk dhe kandidatja për kancelare e partisë AfD Weidel do të diskutojnë në platformën X për lirinë e shprehjes dhe situatën aktuale politike në prag të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani.

Pas deklaratave të Elon Musk se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë, multimiliarderi amerikan dhe kandidatja për kancelare e partisë AfD, Alice Weidel, do të takohen të enjten në mbrëmje (ora 19:00) në platformën X për një diskutim dypalësh.

Aktiviteti mban titullin “Hapësira” dhe do të fokusohet tek situata aktuale politike në prag të zgjedhjeve parlamentare të 23 shkurtit në Gjermani. Siç bëri të ditur një zëdhënës i Weidel-it gjatë bisedës do të diskutohet ndër të tjera edhe për çështjen e lirisë së shprehjes.

Biseda do të zhvillohet në anglisht dhe mund të ndiqet drejtpërdrejt nga kushdo në platformën X. Po ashtu gjatë bashkëbisedimit do të lejohen edhe pyetje nga audienca virtuale. Sipas zëdhënësve të tyre, Musk dhe Weidel ende nuk janë takuar personalisht.

Musk është këshilltar i ngushtë i presidentit të ri të SHBA-së, Donald Trump. Pronari i Platformës X dhe shefi i prodhuesit të automobilëve Tesla po bën fushatë për populisten e djathtë Weidel.

Musk: Shpresa e fundit për Gjermaninë

Para disa ditësh Elon Musk shkroi në platformën X, se vetëm AfD-ja mund ta shpëtojë Gjermaninë. Këtë qëndrim ai e forcoi edhe në një artikull të botuar në gazetën javore gjermane “Welt am Sonntag”. Musk shkruan: “Alternativa për Gjermaninë mund ta shpëtojë Gjermaninë që të mos bëhet hije e së kaluarës së saj. Gjermania është rehatuar në një gjendje mesatare – tani është koha për ndryshime të guximshme, dhe AfD-ja është e vetmja parti që mund ta hapë këtë rrugë.”

Musk shkruan se AfD-ja është “shpresa e fundit për vendin”, e cila sipas tij po kalon një krizë ekonomike dhe kulturore. Ai beson se vetëm AfD-ja mund ta ringjallë ekonominë gjermane dhe të shmangë humbjen e identitetit përmes një “politike imigracioni të kontrolluar”.

Për ata që e cilësojnë AfD-në si ekstremiste, Musk thotë: “Mos u ndikoni nga etiketimet,” duke përmendur se partnerja e bashkëkryetares së AfD-së, Alice Weidel, është nga Sri Lanka.

Thirrja e miliarderit Musk për të votuar për AfD-në shkaktoi kritika të ashpra në Gjermani.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>