NATO dëshiron të vërë në dispozicion thuajse tetë herë më shumë ushtarë se më parë për të qenë e përgatitur për ndonjë sulm të mundshëm. Ushtria gjermane do të marrë përsipër një rol të rëndësishëm.
Për shkak të luftës në Ukrainë, NATO dëshiron të rrisë numrin e forcave të saj të reagimit të shpejtë nga rreth 40,000 në më shumë se 300,000. Siç njoftoi Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, në prag të samitit të NATO-s në Madrid, për këtë qëllim do të ristrukturohet forca e reagimit të shpejtë NRF. Kjo forcë ka disa muaj që është në gjendje gatishmërie për shkak të tensioneve me Rusinë.
Modifikimi i planifikuar është pjesë e një modeli të ri force për të gjithë zonën e aleancës. Ky mundëson që në një zonë ku ka nevojë të vendosen më shumë forca në gatishmëri të lartë pavarësit se nga cili vend janë ato. Kjo do të thotë p.sh. që ushtarë gjermanë mund të caktohen për të mbështetur trupat lituaneze në rast të një sulmi rus.
Mbrojtja e krahut lindor përparësi kryesore
Sipas Stoltenbergut mbrojtja e krahut lindor të territorit të NATO-s ka përparësi kryesore për aleancën, e cila aktualisht ka 30 shtete anëtare. Ai pret që në samitin e NATO-s në Madrid të bëhet e qartë se aleatët e shohin Rusinë si “kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë”.
Sipas Stoltenbergut grupet luftarake ekzistuese shumëkombëshe të NATO-s në shtetet anëtare në krahun lindor do të zgjerohen në nivel brigade. Aktualisht grupi i reagimit të shpejtë në Lituani përbëhet nga 1600 ushtarë. Një brigadë përbëhet zakonisht nga rreth 3,000 deri në 5,000 ushtarë.
Gjermania synon rol drejtues
Gjermania ka deklaruar se dëshiron të udhëheqë Brigadën e Trupave Luftarake në Lituani, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit. Ushtria gjermane Bundeswehr ka aktualisht rreth 1000 ushtarë në grupin e reagimit të shpejtë të NATO-s në Lituani, të cilët janë të integruar në brigadën e këmbësorisë lituaneze “Ujku i Hekurt”.
Trupat e reagimit të shpejtë duhet të jenë gati veprime operacionale brenda dhjetë ditësh, kurse të tjerat për 30 ose 50 ditë. Detajet për rastet e emergjencave do të specifikohen në planet e reja të NATO-s për mbrojtjes rajonale, të cilat pritet të jenë gati vitin e ardhshëm.
dw