Një burrë me instikt për pushtet

Ai cilësohet si radikal i majtë dhe i paparashikueshëm. Po të shohësh biografinë e tij, atëherë të bie në sy një gjë. Kryeministri grek Cipras përshtatet. A do të mund të përshtatet edhe tani?

TsiprasËshtë viti 1990. Në studion e kanalit privat ANT1 në Athinë rrinë përballë njëri-tjetrit një nga gazetaret më të njohura të Greqisë dhe një nxënës, që nuk i ka mbushur ende të gjashtëmbëdhjetat. Është koha e protestave të ashpra të nxënësve dhe gjimnazisti është njëri prej drejtuesve të tyre. “Tête-à-tête” quhet emisioni njëorësh dhe Anna Panajotarea do të dijë se çfarë i preokupon të rinjtë. Pyetjet e saj nuk janë të thjeshta, por bashkëbiseduesi i përgjigjet me shumë zgjuarsi Në fund të emisionit gazetarja mjaft e impresionuar i thotë të ftuarit të saj: “Aleksis, kur të takohemi sërish pas 20 vjetësh, ke për të qenë kryeministër i vendit.”

Gazetarja u gabua me katër vjet. Aleksis Cipras u bë kryeministër, kur mbushi të dyzetat.

Aleksisi “i dashur”

Cipras u lind më 28 korrik 1974, katër ditë pas përfundimit të diktaturës ushtarake. Babai i tij, një sipërmarrës ndërtimesh, ishte votues i PASOK-ut. Motra dhe vëllai, të dy më të mëdhenj, ishin anëtarë të organizatës rinore të Partisë Komuniste. Në moshën 16-vjeçare edhe ai hyri në këtë organizatë. Në të njëjtën kohë ai ishte tifoz i zjarrtë i Panathinaikos të Athinës. A është e mundur kjo – komunist i ri dhe tifoz i klubeve të futbollit të establishmentit politik dhe ekonomik?

Siç pranon Cipras më vonë, një pjesë të socializimit të tij e ka bërë në rangjet e të “gjelbërve”. Në vitin 2009 ai kundërshtoi ndërtimin e një qendre tregtare pranë vendit, ku ishte planifikuar të ndërtohej stadiumi. Ndërtimi bie, Cipras përjashtohet nga festa e 100-vjetorit të klubit të tij, në lojërat brenda vendit ai nuk është më i dëshiruar. Thonë se kjo e ka goditur rëndë.

Këtu del në pah një tipar i rëndësishëm i tij: rezistenca. Ndërsa në opinion ai ka imazhin e një dhëndri të mirë, Aleksis Cipras është në gjendje të godasë fort. Qoftë anëtarëve të partisë, ashtu edhe kundërshtarëve politikë, shpesh u është dashur të pësojnë me humbje, dhe të shohin se sa i ashpër ka qenë reagimi i Aleksisit të dashur, të edukuar, në dukje të parrezikshëm. Por Cipras ka cilësi të forta reaguese. Talljen, fyerjet, që shpesh i është dashur t’i dëgjojë nga politikanët “e formuar”, nuk i përfillte. Ai e ka kuptuar, se është pjesë e biznesit politik të sulmojnë njeri-tjetrin para kamerave televizive. Pastaj i shkelnin syrin njëri-tjetrit me moton: merre me të lehtë.

Pragmatiku

Cipras nuk është njëri dogmatik. Ai ka provuar se mund të ndryshojë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet që Syriza brenda pak vitesh thuajse i ka dhjetëfishuar rezultatet e saj në zgjedhje. Por a ka ai bindje? Nëse ka, duket se nuk e pengojnë për t’iu përshtatur ndryshimit të kushteve. Sepse Cipras është në radhë të parë pragmatist. Menjëherë pasi u bë kryetar i partisë në vitin 2008, ai pohoi hapur në një intervistë, se partia e tij nuk përbën alternativë qeverisëse. Kur pak kohë më vonë shpërtheu kriza e borxheve dhe partitë e vjetra në pushtet, PASOK dhe Nea Dimokratia, po hynin në vështirësi gjithnjë e më të mëdha, Cipras nuhati shansin e tij.

Pas konflikteve të ashpra të fillimit, në vitin 2012 ai krijoi nga aleanca e partive dhe e organizatave Syriza, një parti të unifikuar. Si rrjedhojë ai filloi të ndryshojë orientimin e Syrizës. Për një parti të vogël socialiste të krahut të majtë prej katër përqindësh programi antikapitalist mund të jetë i rëndësishëm për t’i mbajtur të shtrënguara radhët. Por për të hapur portën për marrjen e qeverisë, në shtetin e BE-së Greqi, nevojiten pozicione në përputhje me tregun.

Me turma shkuan votuesit e rinj te Syriza. Cipras e dinte se këta qytetarë nuk donin një ndryshim sistemi, por dëshironin një politikë më të mirë reformuese. Partia mori përsipër drejtimin e qeverisë, pa përfunduar procesin e përshtatjes brenda partisë. Një proces, që është i nevojshëm, për të përmbushur pritjet e votuesve të rinj. Në radhë të parë krahu i majtë i partisë, i cili përfaqëson të paktën një të tretën e anëtarëve, jo rrallë është i mbingarkuar nga ritmi i shpejtë i kryetarit të tij.

Tensionet e fshehura dolën hapur në pah në bisedimet për përmbylljen e paketës së dytë të kredisë. Të majtët e partisë u tmerruan, që Cipras po pranonte masat e gjera të kursimeve. Argumenti i tyre ishte, se u është premtuar diçka tjetër zgjedhësve. Megjithatë, si shpesh në të kaluarën, u bë një kompromis: Nëse propozimi i kredidhënësve do të shoqërohej me ristrukturimin e borxhit, kjo do të votohej në parlament. Por këtë pikë Cipras nuk e përballoi dot. Për të mos iu nënshtruar një humbjeje në votim, ai vendosi për referendumin.

Llogaria” e Cipras mund të jetë kjo: Edhe në qoftë se ai do ta humbasë referendumin, askush nuk do ta anashkalojë dot Syrizën. Partitë e vjetra në pushtet, Nea Dimokratia dhe PASOK-u janë ende shumë të diskredituara në sytë e votuesve, sa të mund të bëhen një kërcënim serioz për Syrizën në zgjedhjet e reja.

Por pyetja e vetme relevante, së cilës Cipras nuk mund t’i përgjigjet, është: Si do të sillen kredidhënësit të hënën? (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>