Një projekt bërthamor për energjinë

projekt berthamor per energjiTë gjitha centralet e sotme bërthamore prodhojnë energjinë nëpërmjet procesit të ndarjes së atomeve të uraniumit – që krijon nxehtësi të dobishme, por edhe mbetje të shumta e të rrezikshme bërthamore që janë  vdekjeprurëse. Procesi i kundërt, ai i bashkimit të atomeve, apo fuzioni, gjithashtu krijon ngrohje, por edhe thuasje aspak rrezatim të dëmshëm. Problemi është se fuzioni është mënyra më e vështirë për t’u arritur. Shkencëtarët nga 35 vende, përfshi Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën, po përpiqen ta zgjidhin këtë problem – duke krijuar teknologji që mund ta furnizojnë botën me energji për mijëra vjet.

 

Shkencëtarët e dinë prej kohësh se nga bashkimi i atomeve të dy izotopeve të hidrogjenit, deuterium dhe tritium, çlirohen sasi të mëdha energjie dhe shumë pak rrezatim. Por, kjo kërkon atë lloj nxehtësie dhe presioni që gjendet tek dielli, por të përqendruar në një pikë shumë shumë më të vogël.

 

Teknologjia moderne thotë se kjo është shumë e vështirë por jo e pamundur për t’u arritur. Rrezet e fuqishme lazer do të siguronin presion dhe nxehtësi, ndërsa magnete të mëdha do të mbanin në ajër këtë diell të vogël,  të futur një dhomë të veçantë.

Sipas parashikimeve, kjo shkrirje atomesh,  do të jepte deri në 10 herë më shumë energji se sa konsumon.
Filluar në vitin 1985, një projekt në jug të Francës i quajtur ITER po zhvillohet ngadalë së bashku me planet për një reaktor funksionues energjie nëpërmjet bashkimit  bërthamor. Projekti është pllakosur nga vështirësitë politike, organizative dhe financiare.

Por, drejtori i ri i përgjithshëm, fizikanti dhe kimisti frncez, Dr. Bernard Bigoh thotë se reaktori më në fund është duke u ndërtuar.

“Për shembull pjesa e parë e asaj që ne e quajmë ‘cryostat’ po vjen nga India.  Ndërsa firma amerikane General Atomics ka qenë në gjendje të japë pjesën e parë të ‘solenoidit qendror”, – thotë Dr. Bigoh.

Komisioni i Kongresit që miratoi pjesëmarrjen e SHBA.-së në këtë projekt e ka pakësuar mbështetjen e tij. Në vitin 1998 Komisioni u tërhoq nga projekti, vetëm për t’iu ribashkuar përpjekjeve në vitin 2005 dhe pastaj për t’i pakësuar në mënyrë drastike fondet në vitin 2008. Dr. Bigoh erdhi në SHBA në përpjekje për ta bindur Komisionin që të mos tërhiqet nga projekti.
“Shtetet e Bashkuara tani po pyesin nëse ia vlen të vazhdohet me projektin ose ndoshta të japin dorëheqjen. Prandaj ishte mjaft e rëndësishme për t’u treguar amerikanëve se përkundër faktit se ata mbulojnë vetëm  9% të investimeve, projekti po vazhdon dhe ia vlen që SHBA të qëndrojnë në të. “

Dr. Bigoh thotë se në qoftë se plani i ri i punës miratohet nga shtatë anëtarët kryesorë të projektit, duke përfshirë SHBA-në, Kinën dhe Rusinë, montimi i reaktorit mund të përfundojë deri në vitin 2025, me eksperimentet e para duke filluar nga viti 2028.

Në fund të fundit, reaktori do të kushtojë miliarda dollarë për t’u ndërtuar, por nëse punon, vlera do të jetë e pallogaritshme. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>