Shkencëtarët po ndërtojnë një skaner që mund të zbulojë shumë të panjohura në trupin e njeriut dhe të çojë në trajtime më të mira për kancerin, sëmundjet e zemrës dhe çrregullime të trurit.
Skaneri me përmasa të mëdha, i quajtur “Explorer,” do të marrë imazhe të papara të brendësisë së trupit të njerëzve. Tani për tani, skanerat përqëndrohen vetëm në pjesë të veçanta të trupit.
Një skipi studjuesish të Universitetit të Kalifornisë iu dha një grant prej 15,5 milionë dollarësh nga Institutet Kombëtare të Shëndetësisë për ndërtimin e skanerit të plotë të trupit.
“Trupi i njeriut përmban një sistem organesh dhe të gjitha ato bashkëveprojnë me njëri tjetrin. Më parë nuk kemi qenë në gjendje ta zbulojmë këtë përmes imazheve, ndërsa tani do ta kemi këtë mundësi.” – thotë profesori Badaui.
Ndryshe nga skanerat me rreze X dhe ato MRI, me rezonancë manjetike, të cilat marrin imazhe të kockave dhe organeve, PET skanerat ilustrojnë funksionimin e organeve dhe të indeve në nivel molekular, për diagnostikimin dhe zbulimin e sëmundjeve. Skaneri i ri do ta bëjë këtë edhe më mirë.
“PET skanerat shohin funksionimin e organeve. Përmes tyre ne jemi në gjendje të dallojmë “punën” e qelizave në trupin e njeriut, aktivitetin e tyre. Do të mund të dallojmë se si reagojnë organet e një personi me kancer kur atij i jepet një medikament, nëse tumori pushon së zhvilluari.”
Skaneri i ri përdor substancë radioaktive për lokalizimin e tumoreve. Skaneri “Explorer” përdor një dozë më të vogël rrezatimi se sa procedurat e tjera dhe i merr imazhet më shpejt.
“Skanimi që aktualisht kërkon 20 minuta do të mund të kryhet për vetëm 30 sekonda. Po ashtu, skaneri i ri funksionon me shumë më pak rrezatim.”
Një pamje e plotë si kjo e trupit mund të sjellë zbulimin e ilaçeve të reja me fokus specifik dhe të minimizojë efektet e dëmshme, duke ndjekur hap pas hapi rezultatet e terapisë tek trupi i njeriut. (voa)