Artistët dhe spektatorët në qytetin e Nju Jorkut, së shpejti do të kenë qasje në një skenë gjigande që mund të marrë forma të ndryshme. Në të ashtuquajturën “Shed”, që po ndërtohet në pjesën perëndimore të Manhatanit, artistë vizualë do të eksperimentojnë me një hapësirë të transformueshme për artin e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës George Putic përgatiti kronikën.
Pjesa kryesore e “The Shed” është një tendë gjigande me lartësi prej 36 metrash, e cila mund të hapet për të dyfishuar hapësirën e mbuluar.
Ndërtesa është e vendosur mbi gjashtë rrota prej 1.8 metrash, të montuara në binarë, secila me nga një motor elektrik me 15 kuaj fuqi.
Një nga arkitektët, Liz Diller, thotë se një skenë që ndryshon sjell mundësi të reja.
“Këtu ku jemi, nuk e dimë ku është skena. Mund të jetë mbi ju, poshtë jush, në krah. Artisti mund të rrijë në vend, të ecë, të fluturojë. Ideja kryesore është se nuk një plan të caktuar. Ne donim t’i jepnim në dispozicion njerëzve krijues, diçka që mund ta përdorin në mënyra të ndryshme” thotë ajo.
Korniza prej çeliku e skenës do të mbulohet nga flluska plastike të tejdukshme.
Në formë të reduktuar, do të lërë hapësirë për ngjarje publike, si për shembull, shfaqjet e filmave jashtë gjatë natës.
Kur hapet plotësisht, ajo ofron disa trajta që mund të ndryshojnë për pak minuta, thotë një tjetër nga arkitektët e saj, David Rockwell.
“Kontrollohet temperatura, kontrollohen tingujt,dritat…mbahet e hapur për qytetin, ose jo”.
E kombinuar me hapësirën e ndërtesës kryesore, “The Shed” do të ketë hapësirë për deri në tre mijë njerëz.
Nëndrejtorja e projektit Laurie Beckelman, shpreson se “The Shed” do të frymëzojë artistët për të përdorur në mënyrë kirjuese mundësitë që ofron.
“Është një ndërmarrje e madhe nga njerëz që besojnë në të ardhmen e qytetit, që shpresojnë dhe duan që qyteti të përparojë me të vërtetë…dhe kultura, është një pjesë e madhe e kësaj”.
Nuk është caktuar një datë për hapjen e aktiviteteve, por ndërtuesit thonë se shpresojnë që shfaqjet e para të fillojnë jo më vonë se pranverën e vitit të ardhshëm. (voa)