Shkencëtarët amerikanë dhe ata meksikanë kanë përfunduar ndërtimin e observatorit më të madh në botë me rreze gama, që është vendosur në malin Sierra Negra në Meksikën Qendrore. Detektorët e observatorit do të fillojnë së shpejti të zbulojnë fakte të panjohura për vrimat e zeza dhe supernovat, apo shpërthimet yjore.
Ngjarje kozmike ekstreme, siç janë shpërthimet e yjeve, pulsarët, apo vrimat e zeza, lëshojnë rrezatime elektromagnetike, të quajtura rreze gama, të cilat në rrethana të caktuara lëvizin më shpejt se sa shpejtësia e dritës.
Shkencëtarët thonë se rrezet janë aq të fuqishme, saqë disa prej tyre mund të zbulohen duke ardhur nga distanca deri në 10 miliardë vite drite larg.
Jordan Goodman është profesor fizike në Universitetin e Merilendit.
“Është drita me energjinë më të madhe, dhe na lejon të kuptojmë se nga ç’pjesë e universit vijnë pjesëzat me energjinë më të lartë. Ndaj ky observator do të ofrojë një pamje të gjerë të qiellit në momentet e energjisë më të lartë.”
Kur rrezet kozmike gama godasin elemente si uji, ato krijojnë një shkëlqim të butë në ngjyrë blu, që njihet si “radiacioni elektromagnetik Cherenkov”, ndriçim që vihet re tek bërthama e reaktorëve bërthamorë.
Treqind cisterna me ujë të mbyllura mirë në Observatorin eksperimentues Cherenkov po ashtu përmbajnë sensorë që zbulojnë dhe regjistrojnë radiacionin Cherenkov.
Duke matur këndin dhe intensitetin e goditjes së rrezeve gama mbi sensorët, shkencëtarët mund të llogarisin prejardhjen e tyre.
Zoti Goodman thotë se krahas me studimin e hapësirës së thellë, observatori i ri po ashtu mund të studjojë edhe diellin.
“Kjo është një teknikë e pazakontë, pasi ka edhe ide se duhet të studjojmë rrezet gama që vijnë nga dielli, me një energji tepër të lartë. Për të pare diellin përdorim pikërisht rrezet gama.”
Për këtë ekpserimetim, u zgjodh fundi i një vullkani të shuar në Meksikën qendrore, për shkak të kushteve të favorshme klimatike.
Pas dhjetë vietësh, observatori do të çmontohet dhe mjedisi përreth do të kthehet në kushtet e mëparshme. (voa)