Një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë që ishte në Kinë për të hetuar mbi origjinën e koronavirusit, tha se kishte hasur probleme për të marrë të dhëna, sipas kreut të agjencisë, i cili komentoi të martën pas publikimit të raportit.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje për studime të mëtejshme sepse vlerësimi, tha ai, deri tani, nuk ka qenë sa duhet i gjerë.
Sipas njërit prej hetuesve të ekipit, Kina nuk pranoi të jepte të dhëna të dorës së parë për rastet e hershme me COVID-19, duke komplikuar përpjekjet për të kuptuar se si filloi shpërthimi i epidemisë.
“Në diskutimet e mia me ekipin, ata shprehën vështirësitë që hasën për të marrë të dhënat e dorës së parë,” tha Tedros.
Është “plotësisht e mundur” që rastet me COVID-19 të kishin nisur të qarkullonin qysh në nëntor ose tetor 2019 rreth qytetit Wuhan, tha drejtuesi i ekipit, Peter Ben Embarek në një konferencë shtypi të martën. Kjo, tha ai, çoi në përhapjen e sëmundjes jashtë vendit më herët sesa është dokumentuar deri tani.
Përfundimi se origjina e virusit mbetet e paqartë, mund të bëjë që të vazhdojnë tensionet lidhur me mënyrën se si filloi pandemia dhe nëse Kina i ndihmoi apo i pengoi përpjekjet për ta zbuluar këtë, siç aludojnë Shtetet e Bashkuara.
“Unë pres që studimet e ardhshme bashkëpunuese të përfshijnë ndarjen e të dhënave në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse,” tha kreu i OBSH-së.
Megjithëse ekipi arriti në përfundimin se një rrjedhje nga laboratori ishte hipoteza më pak e mundshme për virusin që shkakton COVID-19n, OBSH-ja tha se çështja kërkon hetim të mëtejshëm, ndoshta me misione të tjera.
Raporti zbulon detaje në lidhje me origjinën e virusit COVID-19. Gjasat më të mëdha janë që pandemia u transmetua nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër, thuhet në raport.
Raporti arrin në përfundimin se prejardhja e virusit nga laboratori është diçka “jashtëzakonisht e pamundur”. Koronavirusi u zbulua për herë të parë në qytetin qendror të Kinës, Wuhan në fund të vitit 2019.
OBSH dërgoi një ekip ndërkombëtar në Kinë në fillim të këtij viti për të studiuar origjinën e virusit. Megjithatë kritikët e këtij studimi thonë se ai kishte kufizime për shkak të hapësirës që u lejoi qeveria e Kinës.
Paralajmërime në SHBA
Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Joe Biden po u bën thirrje amerikanëve që të mos heqin dorë nga mbajtja e maskës dhe përpjekjet e tjera parandaluese për koronavirusim mes të dhënave në rritje për një shtim të infeksioneve të reja.
Presidenti Biden e bëri thirrjen të hënën në Shtëpinë e Bardhë ku ai njoftoi se deri më 19 prill, 90% e të rriturve në Shtetet e Bashkuara do të kualifikohen për vaksinën ndaj koronavirusit.
Ai shprehu shqetësimin për një numër shtetesh që kanë lehtësuar ose hequr plotësisht kufizimet, ndërsa shtohet numri i njerëzve që vaksinohen kundër COVID-19. Presidenti u bëri thirrje drejtpërdrejt të gjithë udhëheqësve shtetërorë dhe lokalë në të gjithë vendin që ose të rikthejnë ose të mos ta heqin rregullin për mbajtjen e detyruar të maskës.
“Ju lutem, kjo nuk është politikë” tha zoti Biden. “Kjo është një çështje jete a vdekjeje.”
Thirrja e zotit Biden i bënte jehonë asaj të disa orëve më herët nga ana e Dr. Rochelle Walenksy, drejtore e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjatë një konferencë shtypi virtuale të ekipit të Shtëpisë së Bardhë për koronavirusin.
Dr. Walensky me emocion të dukshëm në zërin e saj, u kërkoi zyrtarëve publikë dhe të tjerëve të flasin për seriozitetin e situatës, në përpjekje për të parandaluar një valë të katërt të COVID-19.
“Një situatë e kobshme po afron… tani për tani jam e frikësuar”, tha ajo duke vënë në dukje se SHBA kishin mesatarisht rreth 60,000 raste të reja me COVID-19 gjatë javës së kaluar, një rritje prej 10 përqind.
Dr. Walensky tha se trajektorja aktuale në SHBA është e ngjashme me ato në Francë, Gjermani dhe Itali dhe vende të tjera evropiane që po përjetojnë një rritje dramatike të rasteve të reja të koronavirusit.
“Ju kërkoj të keni edhe pak durim, të vaksinoheni kur t’ju krijohet mundësia, në mënyrë që t’i kemi këtu të gjithë njerëzit e dashur kur të mbarojë kjo pandemi,” tha ajo.
Ndërkohë, CDC-ja nxorri një raport të ri të hënën ku thuhej se vaksinat e reja me dy doza Pfizer-BioNTech dhe Moderna janë 90% efektive në parandalimin e infeksioneve në shkallë të gjerë, ndërsa doza e pare është 80% efektive pas dy javëbe të para.
Prodhuesi amerikan i ilaçeve Johnson & Johnson njoftoi të hënën se ka arritur një marrëveshje për të furnizuar Bashkimin Afrikan me deri në 400 milion doza të vaksinës COVID-19 duke filluar nga vera.
Vaksina me një dozë duhet të marrë më pare autorizim nga rregullatorët në vendet afrikane. Megjithatë ajo është miratuar tani për përdorim emergjent nga OBSH-ja, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Në Kanada, zyrtarët e shëndetësisë thanë të hënën se do të ndalonin së ofruari vaksinën AstraZeneca për COVID-19 mes personave nën moshën 55 vjeç për shkak të shqetësimeve për raste të rralla por serioze të mpiksjes së gjakut, veçanërisht tek gratë në moshë të re.
Pauza vjen pasi shumë vende evropiane ndaluan për një kohë të shkurtër përdorimin e vaksinës AstraZeneca ndërsa po hetonin raportet për mpiksje gjaku. Pothuajse të gjithë rifilluan përdorimin e saj pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), tha se vaksina ishte “e sigurt dhe efektive” dhe tha se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet e efekteve anësore.
voa