OBSH rekomandon vaksinën e AstraZenecas për të gjitha variantet e virusit

AstraZenecaNjë grup pune i Organizatës Botërore të Shëndetësisë i përbërë nga ekspertë të imunizimit rekomandoi të mërkurën përdorimin e vaksinës AstraZeneca COVID-19 për të gjitha moshat, si dhe në rajone ku janë të përhapura llojet e ndryshme të virusit.

Grupi Strategjik Këshillimor i Ekspertëve të OBSH-së për imunizimin (SAGE) e bëri rekomandimin nga selia e agjencisë në Gjenevë. Paneli shqyrtoi vaksinën këtë javë pasi Afrika e Jugut ndaloi përdorimin e saj të dielën pasi një studim nga një universitet atje tregoi se ilaçi siguronte vetëm mbrojtje minimale nga varianti që u zbulua për herë të parë në atë vend.

Paneli bëri vlerësimin me kërkesë të Drejtorit të Përgjithshëm të OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus dhe për të informuar më mirë punonjësit e sistemit të kujdesit shëndetësor në mbarë botën që tashmë administrojnë vaksinën. Por rekomandimi i këtij grupi nuk nënkupton miratimin zyrtar të OBSH-së për përdorimin emergjent të kësaj vaksine, i cili pritet të jepet pas gati një jave.

Deri më tani, OBSH-ja i ka dhënë autorizim për përdorim emergjent vetëm vaksinës së kompanisë Pfizer, megjithëse vendet dhe rajonet e tjera individualisht kanë autorizuar vaksina të tjera.

Drejtuesja e shkencëtarëve të OBSH-së, Dr. Soumya Swaminathan tha megjithatë se vendimi i panelit përfaqëson një “moment të rëndësishëm” sepse vaksina e kompanisë AstraZeneca kërkon ruajtjen në temperatura frigoriferike – jo në temperaturat shumë më të ftohta të nevojshme për vaksinat e kompanisë Pfizer, duke e bërë kështu më të lehtë dhe më pak të kushtueshme shpërndarjen.

Mekanizmi për bashkëpunimin për vaksinat, COVAX, i mbështetur nga OBSH-ja dhe i krijuar për t’u siguruar që vaksinat COVID-19 të jenë të disponueshme në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet, shpreson të nisë dërgimin e qindra miliona dozave të vaksinës AstraZeneca duke filluar qysh këtë muaj.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>