Deri në fund luftoi Theresa May për marrëveshjen e negociuar me Bashkimin Europian për daljen nga BE. Të gjitha shenjat të thonë se ajo të martën (15.01) do të anulohet në parlamentin britanik.
Në fund të fjalimit të saj në Parlamentin e Britanisë së Madhe, kryeministrja britanike, Theresa May përmendi edhe librat e historisë: Kur të pëmendet më vonë ky votim në parlament, atëherë njerëzit do të pyesin, “nëse e vumë në jetë vendimin që kemi marrë të ndahemi nga BE, nëse e kemi mbrojtur ekonominë dhe sigurinë tonë si edhe atë të BE, nëse i kemi zhgënjyer qytetarët britanikë.” Por pas apelit të saj në parlament erdhën vetëm të gajasura.
Dështimi i paralajmëruar
“Mendoni edhe njëherë për marrëveshjen”, u kërkoi deputetëve Theresa May. Tek disa parlamentarë të partisë së saj kjo zile duket se është dëgjuar. Pesë të dyzuar nga konservatorët duket se e kanë ndërruar mendimin e tyre e do ta mbështesin marrëveshjen. Por 100 deputetë konservatorë dhe Partia Irlandezoveriore, DUP, që i ofron Mayt shumicën e duhur parlamentare, ka thënë se nuk do të votojnë marrëveshjen. Sipas parashikimeve më shumë se 400 deputetë do të hedhin poshtë marrëveshjen, dy të tretat. May nuk mund të mënjanojë më këtë dështim të paralajmëruar, ajo vetëm mund të përpiqet të zvogëlojë dëmin.
Kurs i paqartë i opozitës
I vetmi avantazh që ka kryeministrja britanike është dobësia e madhe e opozitës laburiste. Kreu i partisë, Jeremy Corbin edhe më tej vazhdon të pretendojë, se do të arrijë një “deal” më të mirë me BE në negociata, nëse do të bëhet kryetar qeverie. Megjithëse kreu i opozitës ende nuk po vendos dot, nëse duhet të guxojë të kërkojë një votë mosbesimi në parlament. Ai do të vijë “shpejt”, tha ai para deputëteve. Por Corbyn e di, se ai në një rast të tillë do të humbasë. Sepse rebelët brenda konservatorëve do të shtrëngonin radhët, kur vjen fjala për ruajtjen e pushtetit dhe mbajtjen në këmbë të partisë konservatore.
Shumica e laburistëve mbështet tanimë kërkesën për një referendum të dytë si rrugëdalje nga kriza. Por Corbyn e refuzon këtë dhe shpreson se do të dëbojë “Toryt” nga “Downing Street”. Ndoshta në fund ai do të ndërrojë udhë, por deri në këtë pikë ai mund të humbasë të gjitha shanset që dalin nga përçarja e konservatorëve.
Dhurata që nuk i duhen kujt
Krerë të BE-së një ditë para votimit në parlament (të marten 15.01) u përpoqën të ndihmonin Theresa Mayn. Në një letër të gjatë ata siguruan britanikët, se ndalimi për shkak të kufirit irlandezoverior është vetëm i përkohshëm, dhe se askush nuk do t’i mbajë britanikët për një kohë të gjatë. Përveç kësaj pas pranimit të marrëveshjes së daljes nga BE, mund të fillohet menjëherë me bisedimet për një marrëveshje tregtare. Megjithë përpjekjet e Theresa Mayt që kjo letër të kuptohej si një akt ligjor, askush nuk u impresionua. DUP dhe konservatorët thonë JO.
Si do të veprohet pas dështimit?
Theresa May ka vetëm pak ditë, që t’i prezantojë parlamentit një Plan B pas dështimit të marrëveshjes, siç pritet. Por ajo është e izoluar mes rezistencës brenda partisë së saj dhe vijave të saj të kuqe. Skenari më i mundshëm është, që ajo të kthehet në Bruksel, për të kërkuar lëshime të tjera nga Brukseli dhe për ta ofruar sërish marrëveshjen nga parlament. Por nuk dihet, nëse do të ketë sukses.
Nëse edhe Plani B i Mayt dështon, atëherë vjen në radhë Plani C i grupimeve ndërpartiake në parlament. Deputetët në një seri votimesh mund të përcaktojnë, se për cilat variante të Brexit arrihet shumica. Ose Laburistët kërkojnë një referendum të dytë dhe mbledhin për këtë vota tek pala kundërshtare. Por ndërkohë koha ikën dhe afati shkurtohet gjithnjë e më shumë. Ende Theresa May nuk e do një shtyrje të Brexit deri në fund të qershorit, por mund të ndodhë që ajo të jetë e detyruar për këtë.Sido që të shkojë votimi në parlamente të martën, kriza e thellë politike dhe institucionale e Britanisë së Madhe nuk ka marrë fund. Përkundrazi – dobësia e qeverisë, e opozitës dhe sistemit politik ka gjasë që të shpërthejë edhe më hapur në ditët e ardhshme.
dw