Dy muaj para zgjedhjeve parlamentare në Turqi shtohen dyshimet për një fitore të bindshme të AKP-së. Forcimi i partisë kurde HDP mund ta dëmtojë atë.
Me gati 50 për qind të votave partia konservatore islame AKP, në pushtet që nga viti 2002, arriti para katër vjetësh rezultatin e saj më të mirë zgjedhor deri tani. Ajo ka sot, megjithë disa largime të disidentëve, 312 nga 550 vendet në parlamentin e Ankarasë. Para zgjedhjeve të 7 qershorit kërkesat janë edhe më të larta. Rexhep Tajip Erdogan, i cili edhe pas transferimit të tij në pallatin presidencial vitin e kaluar ka mbetur de facto kreu i AKP, kërkon publikisht 400 vende në parlament për projektin e tij të një sistemi presidencial. Me këtë shumicë dërrmuese AKP mund të realizonte pa vështirësi çdo ndryshim të kushtetutës, që i nevojitet Erdoganit për të forcuar postin e presidentit.
Sondazhet të paqarta
Megjithatë shumë sondazhe e konsiderojnë të paarritshëm për AKP numrin e 400 mandateve. Edhe sondazhet, që parashikojnë një përsëritje e fitores më të madhe të AKP të vitit 2011, arrijnë në përfundimin se në parlament nuk do të hyjnë më shumë se 375 deputetë. Gjithsesi kjo do të ishte e mjaftueshme për AKP, që të mund të ndryshojë e vetme kushtetutën.
Shumica e sondazheve presin një rezultat më të ulët të AKP-së dhe e vendosin partinë në pushtet diku ndërmjet 40-47 për qind. Edhe me një rezultat të tillë AKP do të mbetet forca më e madhe politike. Por për të qeverisur e vetme do të jetë vendimtare, nëse partia kurde HDP do ta kalojë pragun dhjetë për qind e të hyjë në parlament. Me HDP në parlament AKP sipas disa llogaritjeve mund të humbasë shumicën absolute të vendeve.
Partia kurde ndiqet me kujdes
Edhe vetë zëvendëskryeministri dhe veterani i AKP-së Bulent Arinç pranoi kohët e fundit se 11-12 për qind janë të mundshme për HDP. Rritja e popullaritetit të partisë kurde i dedikohet edhe njërit prej kryetarëve, Selahatin Demirtas, një politikani 41-vjeçar, i cili është një brez më i ri se Erdogan dhe udhëheqësit e tjerë turq. Demirtas bën gjithçka për të rritur potencialin elektoral të HDP përtej votuesve kurdë duke e paraqitur atë si një parti moderne të majtë.
Deri tani duket se kjo funksionon, thotë politologu Behlul Ozkan, nga universiteti i Marmarasë në Stamboll. “Edhe nga gjuha e tij Demirtas është krejtësisht ndryshe nga politikanët më të moshuar, ai ka arritur që të bëjë për vete edhe votues (jo-kurdë) në perëndim të Turqisë”, tha Ozkan në një intervistë me Deutsche Welle. Votuesit e pavendosur ose të pakënaqur me partitë laike dhe nacionaliste opozitare, CHP dhe MHP, si edhe me AKP, përbëjnë një potencial për Demirtasin.
Të çara në AKP
Rritja e popullaritetit për yllin politik Demirtas lidhet ngushtë me një tjetër faktor të rëndësishëm për zgjedhjet: “Vendimtare do të jetë, nëse votuesit janë mërzitur me Erdoganin, apo jo”, thotë gazetari Okay Gënensin, kolumnist në gazetën e përditshme “Vatan” për Deutsche Welle. Erdogani dominon politikën turke prej 13 vjetësh dhe dëshiron ta zgjerojë pushtetin e tij me futjen e postit presidencial. Çështja e sistemit presidencial është “motivi kryesor i zgjedhjeve”, thotë Gënensin.
Anketat japin informacione kontradiktore, nëse Erdogan mund t’i bëjë për vete votuesit me projektin e tij për president apo jo. E qartë është se pretendimi i Erdoganit për pushtet has madje edhe në rezistencën e qeverisë. Për kryeministrin Ahmet Davutoglu thuhet se promovon kundër dëshirës sistemin presidencial.
Polarizimi i shoqërisë
Për ta forcuar sa më shumë të jetë e mundur AKP-në, Erdogan, ashtu si dhe në zgjedhjet e mëparshme, vazhdon të bëjë një polarizim të fortë mes mbështetësve të qeverisë dhe kundërshtarëve të saj. Sidomos pas pengmarrjes së një prokurori në Stamboll nga ekstremistët e majtë, që përfundoi me vdekjen e tij, vëzhguesit presin tensione të reja. Një gazetë besnike e Erdoganit akuzoi lëvizjen e protestës Gezi. Deri tani Erdogan ka përfituar gjithmonë nga polarizimin e shoqërisë, vë në dukje kolumnisti Gënensin.
Por nuk është e thënë se receta e Erdoganit do të ketë sukses edhe kësaj rradhe. Polarizimi është një mjet për të motivuar pasuesit e tij, i tha anketuesi Tarhan Erdem gazetës “Bugün”. Por kjo nuk do të thotë, se në këtë mënyrë AKP do të mund fitojë votues të rinj. (dw)