Sekretarja e Brendshme britanike Amber Rudd tha sot se zyrtarët do të kenë gati një plan reagimi në rast se hetuesit do të identifikojnë personat përgjegjës për sulmin ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus. Sekretarja Rudd informoi se edhe një oficer policie është dëmtuar prej helmit nervor dhe se është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Sekretarja Rudd tha se ish-agjenti Sergei Skripal dhe e bija Yulia, janë ende në gjendje të rëndë pasi u gjetën të dielën pa ndjenja në një stol pranë një qendre tregtare.
“Janë në spital në një gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Është një incident tepër serioz dhe policia po vazhdon punën. Po hetojnë rreth shtëpisë së tyre, një klubi dhe një restoranti. I jemi mirënjohës komunitetit lokal për bashkëpunimin”, tha zonja Rudd.
Policia tha se zoti Skripal dhe e bija u bënë objekt sulmi të dielën në qytetin Salisbury.
Zoti Skripal është akuzuar në të kaluarën nga Moska, se kishte shitur disa agjentë rusë tek shërbimet britanike të zbulimit. Ai u dënua me katër vjet burgim, por më pas u shkëmbye me disa agjentë rusë të kapur në SHBA.
Në atë kohë, Presidenti rus Putin, i cili ka qenë dikur oficer i KGB-së, pati kërcënuar me vdekje në televizion të gjithë ata që tradhëtojnë Rusinë. (voa)