Polimeri sintetik, kryesisht në formën e plastikës, përdoret për bojërat, për shishet e ujit, apo syzet e diellit dhe DVD-të. Imagjinoni se çfarë mund të krijohet me një plastikë që mund të tundet ose të zvarritet. Është shpikur tashmë një polimer i ri që lëviz si një krimb mëndafshi duke reaguar ndaj burimit të dritës.
Shkencëtarët në Hollandë thonë se ky material polimeri mund të lëvizë nëse i drejtohet një burim drite.
“Përdorim një lloj të veçantë plastike. Është i përbërë nga polimere kristali të lëngshëm, njësoj si përbërësi i lëngshëm që ndodhet në ekranet e sotshme”, thotë Dirk Jan Mulder, i Universitetit të Teknologjisë Eindhoven.
Lëvizja krijohet kur njëra anë kontraktohet si reagim ndaj burimit të dritës ultraviolet, ndërkohë që ana tjetër zgjerohet duke krijuar kështu një valë lëvizjeje.
Kur polimeri përthith dritën, një hije krijohet pas tij që është vendimtare për lëvizjen.
“Ne i dhamë një formë të përkulur, në mënyrë që kur drita hyn, të ndriçojë vetëm njërën pjesë. Pjesa tjetër mbetet në hije ndërkohë që ndaj dritës po reagon vetëm pjesa e ekspozuar duke u zhvendosur”, thotë Anne Helen Gelebart.
Korniza që e rrethon, e shtrëngon polimerin që të lakohet, duke mundësuar kështu lëvizjen.
“Duhet që materiali të ketë këtë formë dhe kornizën rrotull, në mënyrë që kontraktimet të gjenerojnë lëvizjen”, shpjegon Anne.
Krahas argëtimit që ofron, shkencëtarët thonë se materiali mund të gjejë përdorime shumë të nevojshme.
“Mund ta përdorim këtë material p.sh. për panelet diellore në shkretëtirë, të cilat bllokohen nga furtunat e rërës. Me një material të tillë, mjafton drita e diellit për të krijuar dridhjet për t’u vetëpastruar nga rëra”, thotë zoti Mulder.
Një përdorim tjetër mund të jetë tek robotët e vegjël, të cilët të drejtuar prej dritës mund të kacavirren në hapësira të ngushta apo të zhvendosin objekte të vogla. (voa)