Gazsjellësi Nord Stream 2 i Detit Baltik është halë në sy për Poloninë. Autoritetet tani kanë gjobitur kompanitë e përfshira – veç kompanisë energjetike të Rusisë Gazprom, edhe kompani nga Gjermania.
Mbikëqyrëset e karteleve të Polonisë kishin paralajmëruar që në vitin 2016 se gazsjellësi i diskutueshëm Nord Stream 2 i Detit Baltik mund të ndikojë negativisht në konkurrencë. Tani Autoriteti Polak për Konkurrencën dhe Mbrojtjen e Konsumatorit (Uokik) vendosi një gjobë prej miliarda dollarësh për konsorciumin e operatorit.
Kompania ruse e energjisë Gazprom duhet të paguajë një gjobë rekord prej rreth 6.45 miliardë eurosh. Por pesë ndërmarrjeve të tjera që janë të përfshira në projektin e gazsjellësit do t’u kërkohet gjithashtu të paguajnë. Në total, pesë partnerët financiarë, tek të cilët bën pjesë edhe furnizuesi i Düsseldorfit Uniper, gjermani Wintershall dhe austriaku OMV Group, pritet të paguajnë 52 milionë euro.
SHBA dhe vendet tranzit kundër Nord Stream 2
Pasi Uokiku refuzoi në vitin 2016 t’i japë miratim kompanisë së projektit, në të cilën janë përfshirë gjithashtu si investitorë financiarë grupi francez Engie dhe grupi britaniko-holandez Shell autoriteti filloi në vitin 2018 procedurat kundër karteleve.
Deri tani, gazi rus është transportuar përmes tubacioneve që përshkojnë Ukrainën dhe Poloninë
Nord Stream 2 ka për qëllim të rrisë ndjeshëm potencialin për dërgesat e gazit rus në Gjermani, por kundërshtohet nga shumë shtete. Kritikët druhen se tubacioni mund të dobësojë rëndësinë strategjike dhe ekonomike të gazsjellësve alternativë dhe vendeve tradicionale të tranzitit – përfshirë Poloninë, si dhe Ukrainën. Qeveria në Varshavë ishte që nga fillimi kundër tubacionit të ri.
Diskutime pas helmimit për gazin e Rusisë
Punimet për ndërtimin e gazsjellësit me gjatësi 1230 kilometra aktualisht janë ndalur, sepse kompanitë e përfshira kërcënohen me sanksione nga SHBA. Presidenti i SHBA Donald Trump akuzon Gjermaninë se po kalon në varësi nga gazi rus.
Përkrahësit, nga ana tjetër, argumentojnë se Nord Stream 2 rrit sigurinë e energjisë në Evropë dhe siguron çmime të ulëta të energjisë – gjithashtu në krahasim me gazin më të shtrenjtë të lëngshëm nga SHBA, i cili fitohet kryesisht përmes procesit të diskutueshëm fracking.
Helmimi i politikanit rus të opozitës Alexej Navalny kohët e fundit shkaktoi diskutime shtesë rreth gazsjellësit. Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki theksoi javën e kaluar se çështja e kritikut të helmuar të Kremlinit nuk mund të shihej veçmas nga projekti i gazsjellësit.
cw (afp, rtr)