Prindërit në epokën dixhitale

celularPër prindërit që duan të dinë rreth aktiviteteve të fëmijëve të tyre në internet, një faqe e re interneti në Zelandën e Re ofron këshilla dhe sugjerime rreth taktikave që vetë prindërit mund të përdorin për t’i mbajtur fëmijët të sigurtë. 13 vjeçari Oscar dhe 11 vjeçarja Violet po argëtohen. Violet po luan Minecraft në tabletë, ndërsa Oscar po kontrollon mesazhet në telefonin e tij të ri.

Nëna e tyre, Victoria po mbikëqyr veprimet e fëmijëve, duke u siguruar që ata të mos kalojnë caqet, ndërsa argëtohen në internet. Të dy fëmijët i përdorin paisjet dhe kompjutetrat për shoqërinë virtuale, për t’u lidhur me prindërit kur janë larg shtëpisë, për të bërë mësimet, si dhe për t’u argëtuar.

Zonja Travers thotë se u ka vënë kufizime të përditshme fëmijëve për përdorimin e teknologjisë.

“Ata përdorin çdo ditë pajisjet e tyre, si për të bërë detyrat e shtëpisë, për median sociale dhe më pak për lojëra argëtuese. Gjatë fundjavës duhet patur kujdes me ta, që të mos e teprojnë me orë të tëra në internet.” 

Zonja Travers thotë se nuk ka qënë i lehtë monitorimi i veprimeve të fëmijëve të saj në internet. Së bashku me bashkëshortin, ajo ka gjetur një mënyrë për t’u siguruar që fëmijët e saj të mos rrezikohen kur përdorin pajisjet e tyre dixhitale.

Ata përdorin filtra në pajisjet kompjuterike dhe gjithnjë mbikqyrin veprimtarinë e fëmijëve në internet. Po ashtu, prindërit janë abonuar në disa lloje të medias sociale, që të jenë të pranishëm me fëmijët e tyre.

“Duhet të jemi fleksibël. Duhet pranuar që ndihma për fëmijët dhe mbështetja që ata të kenë aftësi në botën dixhitale dhe po ashtu në përdorimin e tyre, është shumë e rëndësishme. Sikurse edhe fëmijët, prindërit duhet të përdorin median sociale dhe të kenë njohuri rreth tyre. Po ashtu duhet ditur se cilat lloje të medias sociale janë të pranueshme për fëmijët.” 

Është një problem i përbashkët për shumë prindër në epokën dixhitale. Pikërisht këto shqetësime çuan në krijimin e një faqeje interneti në Zelandën e Re, për të ndihmuar prindërit që nuk janë të sigurtë si t’i ndihmojnë fëmijët e tyre nga rreziqet me të cilat mund të përballen..

Faqja u krijua nga kompania “Vodafone Zelanda e Re”, organizata për sigurinë në internet “Netsafe” dhe nga organizata për familjen, “The Parenting Place”.

David Atkinson, i organizatës “The Parentin Place”, thotë se kjo faqe interneti i ndihmon prindërit të mbledhin informacione mbi botën e internetit.

“Ne krijuam faqen e internetit “Digi-Parenting”, ku prindërit mund të hyjnë dhe të informohen. Është një vend ku prindërit shkëmbejnë shqetësimet dhe idetë, por edhe gjejnë përgjigje për pyetjet e tyre.”

Në atë faqe interneti mund të gjesh përgjigje për pyetje se si mund të jesh më i angazhuar në punën që bën fëmija në kompjuter dhe rreziqet e mundshme për të cilat familjet duhet të jenë të vetëdijshme. Po ashtu, faqja promovon disa sherbime dhe aplikacione që filtrojnë dhe bllokojnë faqe interneti të padëshiruara. Zoti Atkinson thekson rëndësinë e dialogut me fëmijët mbi përdorimin e pajisjeve dixhitale dhe internetit.

“Një prej gjërave më të mira që mund të bëjnë prindërit është të bëhen pjesë e debatit dhe përdorues të teknologjisë, së bashku me fëmijët. Prindërit duhet të bëhen pjesë dhe të kuptojnë botën e fëmijëve të tyre.”

Lee Chisholm, specialiste me “Netsafe”, thotë se prindërit dhe të rinjtë duhet të kenë kujdes disa gjëra kur flitet për botën kibernetike.

“Ekzistojnë një sërë rreziqesh në internet, që nga ngacmimet dhe abuzimi; po ashtu, kur publikon në internet informacione personale, kjo hap rrugën për shumë kritika dhe materiale të tjera të papërshtatshme. Njëkohësisht, egziston ndjesia e presionit ndaj fëmijëve, për të qenë aktivë në internet, që shoqërohet me drojën se mund t’u kalojnë pa vënë re informacione që dalin në median sociale.” 

Nga ana tjetër, nëna e dy fëmijëve, zonja Travers, thotë se është në dijeni për rreziqet e mundshme në internet për të fëmijët dhe ofron këshilla për prindërit, që ata të ndjekin rregulla të caktuara për t’i mbrojtur fëmijët nga rreziqet që paraqet interneti. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>